Qytetërim

‘Komisar Katani’ me libër për shqiptarët

Giuseppe Monforte tregon edhe përshtypjen e parë që ka pasur për Shqipërinë.

k.m.
‘Komisar Katani’ me libër për shqiptarët
Giuseppe Monforte

TIRANË- Lexuesit shqiptarë tashmë mund të shijojnë në shqip librin “Shqiponja dhe oktapodi”, në qendër të të cilit është edhe vendi ynë. Në libër, autori i romaneve "Heshtja" dhe "Ne duart e askujt", Giuseppe Monforte tregon në librin e tij për përballjen e egër të Policisë me mafian italiane dhe atë shqiptare. Në një rrëfim për "ReportTv"', Giuseppe Monforte tregon edhe përshtypjen e parë që ka pasur për Shqipërinë.  

“E kam shkruar këtë libër mbi Shqipërinë, pasi librat e mi, siç e dinë ata që më njohin, ndjekin jetën time profesionale dhe atë personale. Kështu që kam shkruar gjithçka që më ka ndodhur, disa gjëra janë trillime, por ka shumë pak të tilla. Pra dhe ky libër i tretë përshkruan jetën time në Shqipëri. Unë vij këtu dhe ndodhin disa gjëra. Dhe në fakt ndonëse unë e kam shkruar, ky nuk është libri im, por është i shqiptarëve, sepse këtu janë edhe shumë histori që shumë prej jush më kanë treguar. Kur erdha në Shqipëri isha pak i tronditur. Sepse duke ecur rrugës më duhej tu bërtisja kolegëve, kujdes puseta, kujdes se ka një gropë..., ishte e tillë situata atëherë siç e dini. Dhe kur mbërrita në shtëpi ‘shoku’ tjetër ishte se mungonin dritat dhe uji. Mendova se ishte diçka momentale dhe u thashë kolegëve të mi: Epo mirë, mund të ndodhë! Jo më thanë ata, në fakt kështu është 8 orë në ditë. Pra le të themi që mbërritja në Shqipëri ishte pak tronditëse..., por pastaj dalë nga dalë njoha pronaren time të shtëpisë dhe nisa të marrë frymë lirisht. Një njeri i mrekullueshëm që për fat të keq nuk jeton më, por që u bë si nëna ime e dytë,”- shprehet autori i librit, Giuseppe Monforte.

Giuseppe Monforte është përfshirë në disa operacione të rëndësishme të Cosa Nostrës në Itali. Fillimisht e ruajti të fshehtë identitetin e tij si autor, ndërsa tani gëzon kontaktet e drejtpërdrejta me lexuesin. Në vitin 2008, “Heshtja” u kthye në një bestseller, pasi u botua edhe në Itali, Gjermani dhe Holandë. Aktualisht, autori i librit jeton përkohësisht në Tiranë./ZËRI

Poll

MOS HUMB