
MYNIH- Disa ditë më parë Bebe Rexha postoi disa video në Instagram duke qarë. Këngëtarja shqiptare tha se ajo u kërcënua nga një punonjës i sigurimit të aeroportit pasi i foli në gjuhën shqipe. Sipas saj ai punonte për kompaninë e “Lufthansës”. Në lidhje me këtë rast “Telegrafi” kontaktoi me “Lufthansën’ për koment në lidhje me këtë ngjarje shqetësuese.
Kompania gjermane ajrore tha se kanë kontaktuar me Bebe Rexhën për këtë incident dhe janë duke e hetuar ngjarjen.
“Ne kontaktuam me Bebe Rexhën të shtunën për të kuptuar situatën dhe jemi duke kryer një hetim të brendshëm mbi çështjen. Si një linjë ajrore ndërkombëtare, ne lidhim njerëzit dhe vendet në mbarë globin. Pasagjerët dhe punonjësit tanë vijnë nga e gjithë bota. Diversiteti dhe mundësitë e barabarta janë vlera thelbësore për kompaninë dhe kulturën tonë. Ne nuk tolerojmë asnjë lloj sjelljeje diskriminuese”, tha "Lufthansa".
“Lufthansa” gjithashtu tha se këngëtarja iu bashkua pasagjerëve të tjerë në avion pa asnjë problem dhe u kthye në kohë në shtëpi.
“Ekziston gjithmonë një kontroll paraprak sigurie për të gjithë pasagjerët që nisen për në ShBA dhe Kanada në Aeroportin e Mynihut, të kryer nga një kompani sigurie para se pasagjerët të mund të hyjnë në zonën e portës. Bebe Rexha duket se u mërzit me njërin nga këta punonjës të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e “Lufthansa”.
Ndërsa nga ana tjetër, Bebe Rexha publikoi një video duke qarë dhe tregoi për incidentin që i ndodhi. Ajo tha se i foli shqip një punonjësi të sigurimit të aeroportit, pasi mendoi se edhe ai ishte shqiptar, por ky i fundit iu kthye me një gjuhë kërcënuese. Ajo akuzoi kompaninë për akte diskriminuese dhe urrejtje për shkak të origjinës së saj shqiptare. /ZËRI