
Në një rrëfim të sinqertë dhe pak brutal me veten, Johnny Depp ka reflektuar mbi marrëdhënien e tij të trazuar me Amber Heard dhe gjithçka që pasoi. Në një intervistë për “The Sunday Times”, aktori 62-vjeçar foli hapur për gabimet, pritshmëritë dhe zhgënjimet e tij në dashuri, duke i dhënë audiencës një vështrim të rrallë në mendjen e tij pas stuhisë mediatike dhe ligjore që e përfshiu.
“Qartësisht, kam qenë budalla,” – u shpreh ai kur foli për mënyrën si ishte qasur ndaj dashurisë në të kaluarën. “Ndonjëherë shikon në sytë e dikujt dhe sheh trishtim, vetmi… dhe mendon se mund ta ndihmosh. Por jo çdo vepër e mirë mbetet pa u ndëshkuar.”
Me këto fjalë, Depp nuk kërkonte thjesht të rikujtonte ndodhitë e kaluara, por të tregonte një reflektim më të thellë, që shkon përtej konfliktit me ish-bashkëshorten. Ai foli për mënyrën se si emocionet, dhe sidomos dëshira për të shpëtuar dikë tjetër, mund të të verbojnë.
“Ka nga ata që kur përpiqesh t’i ndihmosh, fillojnë të të shpjegojnë, pa fjalë, se çfarë ishte ajo plagë në shpirtin e tyre… dhe pastaj ta kthejnë pas në forma të tjera.”
Në këtë intervistë, aktori i “Pirates of the Caribbean” dukej se nuk po flet më vetëm për Amber Heard, por edhe për përvojat e fëmijërisë dhe marrëdhënien me prindërit e tij. Ai e përmend këtë si një “copëz të jetës” që ka vendosur të eksplorojë më thellë tani që vitet kanë kaluar dhe pluhuri është ulur.
Ky rrëfim vjen pasi Depp vizitoi së fundmi një spital fëmijësh në Spanjë, në një gjest që u përshëndet gjerësisht në rrjetet sociale./ZËRI