
TIRANË- Në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Sukth, ku 41-vjeçarja Bedrie Loka i dha fund jetës, e shtyrë nga dhuna e bashkëshortit të saj, ka reaguar dhe këngëtarja Zaimina Vasjari, e cila e njihte nga afër viktimën. Kjo pasi kompania ku ishte e punësuar Bedria ka qënë në pronësi të këngëtares dhe bashkëshortit të saj. Vasjari shprehet se që në momentet e para ajo e ka ditur që nuk ishte një histori tik toku, dhe bullizmi brenda fabrikës, por një dhunë me të cilën Bedria ishte përballur në familjes e saj.
“Tani do prehesh në paqe Bedrie! U përpoqa shumë dje të zbardhja historinë tënde nga lajmi i rremë që portalet të përfshinë, por për fat të keq askujt nuk i interesoi historia e një gruaje të dhunuar, se ndoshta është shumë e dëgjuar, por historia e tik tokut do ishte lajm më i klikuar. Për fat të keq sor edhe lajmi i vdekjes shet, pa i interesuar e vërteta. Ti ishe një grua e bukur, e zonjë, e fortë, një nga punëtoret më të shkëlqyera të kompanisë sonë, e ndershme dhe një nënë shembullore”, shkruan Zaimina në postimin e saj.

Bedrie Loka i dha fund jetës tre ditë më parë, pasi dyshohet se ka qenë e dhunuar nga i shoqi. Xhemal Loka u vu në prangat e policisë mëngjesin e sotëm, pasi 4 fëmijët e çiftit dëshmuan në polici dhunën e vazhdueshme që babai ushtronte ndaj nënës së tyre. E para që ka folur në polcii ka qenë vajza e madhe e çiftit, e cila ishte martuar vetëm pak kohë më parë. Në datën 27 Dhjetor, rreth një javë para vdekjes së Bedrie Lokës, bashkëshorti i saj, i cili sapo ishte kthyer nga emigrimi, i kishte vendosur thikën në fyt 41-vjeçares. Në banesë u gjet dhe një armë zjarri e vjetër, si dhe u sekuestrua telefoni i bashkëshortit./ZËRI