
Një episod tronditës ka ndodhur në orët e vona të natës në qytetin italian të Cantù, ku persona të armatosur tentuan të grabisnin vilën luksoze të futbollistit Marko Arnautovic, i njohur për karrierën e tij me Interin dhe ekipe të tjera europiane.
Vila, e ndodhur në një nga zonat më të shtrenjta të qytetit – Via delle Ginestre – ishte bosh në momentin e ngjarjes. As futbollisti dhe as pjesëtarë të familjes së tij nuk ndodheshin në banesë.
Sipas raportimeve, grabitësit u përballën me katër roje private të sigurisë. Njëri prej tyre u godit në kokë me një mjet të fortë nga autorët, ndërsa dy të tjerë reaguan menjëherë duke mbyllur hyrjet kryesore dhe duke parandaluar hyrjen në ambientet e brendshme. Roja i katërt ndërhyri në kohën e duhur, duke detyruar autorët të tërhiqen dhe të arratisen në panik.
Forcat e Karabinierëve mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, së bashku me një autoambulancë që ofroi ndihmën e parë për rojën e plagosur. Për fat, nuk ka të lënduar rëndë dhe as dëme serioze materiale.
Marko Arnautovic, i cili aktualisht ndodhet jashtë Italisë, nuk ka bërë ende një deklaratë publike, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve./ZËRI