TIRANË-Më 17 mars 2026, ora 12:00, pranë ambienteve të Sallës Gjermane të Bibliotekës Kombëtare “Sotir Kolea”, Tiranë, u zhvillua aktiviteti Participatory Event në kuadër të projektit SEEDS – Strengthening Entrepreneurship Economic Development Sustainably in South Adriatic Area.
Ky projekt financohet nga Programi Interreg IPA South Adriatic 2021–2027, me partner udhëheqës Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, dhe partnerë në projekt Puglia Culture, Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Unionin e Punëdhënësve të Malit të Zi dhe Bashkinë e Agnones (Itali).
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit u ftuan të prezantojnë profilin e tyre dhe aktivitetin që zhvillojnë në sektorin kulturor dhe kreativ, duke krijuar një hapësirë për njohje reciproke dhe rrjetëzim ndërmjet aktorëve të sektorit.
Diskutimi u përqendrua në identifikimin e sfidave dhe mundësive për zhvillimin e sektorit, si dhe në evidentimin e nevojave konkrete të operatorëve kulturorë për forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e bashkëpunimit dhe bashkëprodhimit në nivel ndërkombëtar.


Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, operatorë kulturorë, përfaqësues të teatrove dhe organizatorë eventesh, si dhe aktorë të industrive kreative, të cilët ndanë eksperiencat e tyre dhe evidentuan nevojat konkrete për mbështetje, veçanërisht në drejtim të ndërkombëtarizimit të aktivitetit të tyre. Gjithashtu, u prezantua dhe u shpërnda një pyetësor për identifikimin e nevojave për trajnim dhe zhvillim, i cili do të shërbejë si bazë për hartimin e programeve të mbështetjes në kuadër të projektit SEEDS.