
MOLDAVI – Shqipëria ka shkruar historinë këtë mbrëmje, pasi me barazimin 1:1 në Moldavi, zyrtarisht jemi në Europianin e vitit 2024. Nëse do të fitonim përballë moldavëve, Shqipëria do shënonte ftoren e 100 në histori, gjë e cila fatkeqësisht nuk ndodhi.
Shqipëria ka pasur një rrugëtim të shkëlqyer në këto eliminatore. Ashtu siç askush nuk e mendonte, ekipi ynë jo vetëm që është kualifikuar, por me shumë mundësi do të jetë edhe kokë grupi.
Kombëtarja shqiptare nuk e nisi mirë teksa humbi 1:0 ndaj Polonisë në Varshavë. Por, më tej kishte vetëm rezultate positive për kuqezinjtë tanë.

Shqipëria më 17 qershor mundi Moldavinë me rezultatin 2:0. Kuqezinjtë tanë mundën Ishujt Faroe në fushë kundërshtare me rezultatin 1:3. Shqipëria më pas mori 1 pikë në Çeki, duke barazuar 1:1.

Ekipi ynë kombëtar habiti të gjithë, duke mundur dy ekipet që pretendonin në fillim të kualifikuesve se do ishin në krye, Poloninë dhe Çekinë. Shqipëria fitoi 2:0 ndaj Polonisë dhe më pas 3:0 ndaj Çekisë. Tashmë me këtë barazim në Kishinau, jemi në Europianin e Gjermanisë.
Kualifikimi në Euro 2016
Kjo nuk është hera e parë kur Shqipëria është kualifikuar në Europian, pasi ishim edhe në Francë, teksa na u desh edhe fati për t’u kualifikuar.
Në atë kohë, u renditëm pas Portugalisë, teksa kishim 14 pikë. Lamë pas ekipe të fuqishme si Danimarka dhe Serbia. Në këto eliminatore ndodhi edhe incidenti më i madh në botën e sportit për kombin shqiptar, ku në Beograd u ngrit flamuri kuq e zi.

Pas dhunës në stadiumin e Beogradit, Shqipëria fitoi 3 pikë në tavolinë.
Shqipëria doli jashtë kompenticionit në fazën e grupeve. Mirëpo, arriti që të lërë pas një ekip, atë të Rumanisë. Pasi ekipi ynë kombëtar humbi 1:0 ndaj Zvicrës dhe 2:0 ndaj Francës, arriti të marrë 3 pikë ndaj Rumanisë.
Në ndeshjen e luajtur në Lyon, Shqipëria fitoi me rezultatin e ngushtë 1:0. Ishte Armando Sadiku ai që realizoi gol në minutën e 43. Shqipëria u skualifikua nga golavarazhi, që nuk ishte kaq i mirë./Zëri.ai/