
SUEDI- Është zhvilluar shorti i gjysmë-finaleve për garën e ‘Eurovision 2024’. Shorti u zhvillua në Malmo të Suedisë, bashkë me një ceremoni ku simboli i qytetit pritës kaloi nga pritësit e vitit të kaluar në Liverpool tek miqtë suedezë. Gjysmëfinalja e parë do të mbahet më 7 maj, e dyta më 9 maj dhe finalja e madhe më 11 maj.
Farah Abadi dhe Pernilla Mansson Colt ishin prezantueset për shortin e gjysmë-finales për ‘Eurovision 2024’. Ebba Adielsson, producente ekzekutive eSVT për ESC 2024 tha: “Shorti i gjysmë-finales është një moment kyç në kalendarin vjetor të Eurovisionit dhe diçka që me të vërtetë nis këtë pranverë emocionuese ku do të festojmë muzikën në të gjitha format e saj”.
Nga shorti i hedhur rezultoi se Shqipëria do të garojë në natën e dytë gjysmëfinale të ‘Eurovision 2024’, në gjysmën e parë të shteteve garuese, të cilat janë plot 16 – pra tetë këndojnë në gjysmën e parë dhe tetë në gjysmën e dytë. Shqipëria këtë vit përfaqësohet në ‘Eurovision’ nga këngëtarja e njohur shqiptare, Besa Kokëdhima, me këngën “Zemrën n’dorë”./ZËRI