
TIRANË – Grupi i tifozëve nga Prishtina, Plisat, nuk do të jenë të pranishëm në stadium për ndeshjen ndaj Ishujve Faroe, që luhet sonte në orën 20:45 minuta në Air Albania. FSHF nuk ka akorduar biletat për grupin, ashtu siç ndodh gjithmonë para një sfide të Kombëtares.
‘Krisjen’ mes palëve mësohet se e ka shkaktuar një banderolë, e cila është shpalosur në sfidën ndaj Çekisë. Fraza e prezantuar nga Plisat në stadium, “Mallkue qoftë kush nuk na do bashkë” është bërë shkak për krisjen e raportit.
Plisat kanë ardhur në Tiranë, ndërsa kanë reaguar pas vendimit të FSHF-së. Ata shprehen se do të jenë pranë Shqipërisë, ashtu siç kanë qenë gjithmonë.
“Plisat edhe një herë lajm. Nuk ka bileta. Por, sot nuk kemi kohë për lajmet tuaja. Plisat e kanë perfunduar misionin e tyre, ME SUKSES. Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njejtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, "kriminelat", "tradhëtarët"... ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë.
Nuk ka bileta - nuk ka problem. Le të shkojnë sonte të tjerët për festë. Në fund të fundit Kombëtarja është e të gjithëve.
Ne do të kthehemi përsëri, edhe në festa - edhe në ditë të vështira.
Plisat janë në festë. Prishtina sonte feston. Feston sepse ajo frymon KUQ E ZI. Sepse KU KA PLISA OSHT' SHQIPNI. Shihemi në Gjermani!”, shkruan grupi i tifozëve.
Plisat janë grup tifozësh nga Prishtina, që nuk e kanë mbështetur asnjëherë Kombëtaren e Kosovës. Ata kanë qenë kundër idesë që një komb të ketë dy Kombëtare. Edhe pse të përjashtuar nga FSHF, ata janë në Tiranë dhe sa duket, do ta mbështesin Kombëtaren dhe në këtë ndeshje./Zëri.ai/