
ITALI- Sërish komplikacione shëndetësore për reperin italian Fedez, për të cilin ka pasur amulli informacionesh në orët e fundit, sa i takon gjendjes së tij. Ai i është nënshtruar një operacioni urgjent pas një hemoragjie të brendshme, e tashmë duket të jetë në gjendje stabël.
Përmes një postimi në mediat sociale ai tha të premten se ishte në spital dhe stafi i kishte shpëtuar jetën pasi ulçera i shkaktoi hemorragji të brendshme të enjten, pas operacionit të kancerit pankreatik në mars të vitit të kaluar.
"Ndërkohë faleminderit për të gjitha mesazhet që po më dërgoni sepse mbështetja është gjithmonë e nevojshme në këto momente. Aktualisht jam i shtruar në spital për shkak të dy ulçerave që më kanë shkaktuar hemorragji të brendshme. Falë dy transfuzioneve të gjakut tani jam shumë më mirë. Falënderoj stafin mjekësor që më shpëtuan jetën”-shkroi ai në Instastory. Edhe bashkëshortja e tij Chiara, e cila la eventet në Paris dhe u kthye me urgjencë në Itali, postoi një zemër në storyn e saj, për të falenderuar të gjithë mbështetësit e tyre.

Më 22 mars 2022, artisti iu nënshtrua një operacioni në Milano pas zbulimit të një tumori të rrallë neuroendokrin të pankreasit. “Një nga ato që nëse nuk i kapni në kohë nuk është një shoqërues i këndshëm për ta pasur brenda trupit tuaj. Kjo është arsyeja pse" - shpjegoi Fedez - "më duhej të bëja një operacion që zgjati gjashtë orë për të hequr një pjesë të pankreasit tim (përfshirë tumorin)". Majin e kaluar ai ndau lajmin e mirë të rezultateve të MRI me fansat e tij, por duket se telashet e tij vijojnë ende me shëndetin./Zëri.ai