
TIRANË- Rregullat e thyera vazhdimisht në shtëpinë e Big Brother Vip me sa duket ka detyruar “Vëllain e Madh” të ndëshkojë banorët. Kështu këtë të hënë një zarf i kuq ka mbërritur në shtëpi, ku të gjithë banorët janë paralajmëruar të bëjnë gati valixhet, pasi ditën e nesërme, kur do të jetë dhe “Prime” i radhës pritet të merret një vendim i rëndësishëm.
Zarfin në shtëpi e lexoi Romeo ndërsa të gjithë banorët mbetën të habitur. Nuk dihet ende se çfarë vendimi pritet të merret. Ndërkohë që në zarf thuhej se banorët kanë thyer rregullat, duke prishur mikrofonat dhe duket folur me kode. Sipas “Vëllait të Madh”, ky është mosrespekt ndaj publikut.
“Banorë, në shtëpi janë thyer vazhdimisht rregullat e Vëllait të Madh si pëshpëritja, mbajtja e syzeve, dialogu në gjuhë të huaj, dëmtimi i mikrofonave, dëmtimi i ambienteve të shtëpisë. Mbi të gjitha që publiku të respektohet Vëllai i Madh është i detyruar të marrë masa prandaj nga ky moment të gjithë duhet të filloni të bëni gati valixhet. Vendimin do ta mësoni nesër”, thuhej në zarf./ZËRI