
TIRANË- UEFA hapi për tifozët platformën e rishitjes së biletave të EURO 2024. Në orën 11 të paradites së kësaj të mërkure nisi zyrtarisht funksionimi i kësaj platforme dhe që do të jetë operative deri në orën 11:00 të 14 marsit. Kombëtarja shqiptare e futbollit do jetë pjesë e fazës finale të Europianit 2024 që zhvillohet nga 14 qershori - 14 korrik në Gjermani. Të shortuar në grupin B me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë, të shumtë janë tifozët kuqezinj që duan një biletë për të qenë në stadium. UEFA hapi për tifozët platformën e rishitjes së biletave të EURO 2024.
Brenda këtyre 24 orëve, tifozët do të kenë mundësinë të ofrojnë biletat e ndeshjeve me vlerë nominale për rishitje të sigurt në UEFA.com. Platforma zyrtare e rishitjes është e vetmja platformë e autorizuar për rishitjen e biletave për UEFA EURO 2024.
Për shkak të interesit të jashtëzakonshëm, të parët që do të jenë në radhë, ata do të kenë mundësi të blejnë bileta. Në këtë mënyrë, UEFA ka dashur të shmangë mundësinë e mashtrimit sikurse ka ndodhur në evente të tjera të organizuara prej saj.
Nëse biletat ofrohen për rishitje nga tifozët e kombëtareve pjesëmarrëse, ato do t’u shiten në një proces të veçantë tifozëve të së njëjtës skuadër. Sipas platformës, në rastin e ndeshjes Itali-Shqipëri, biletat që dolën për rishitje në të gjitha kategoritë përfunduan brenda orës 12:30, por më pas pati edhe kategori të disponueshme. Kjo do të thotë se deri në përfundim të afatit të përcaktuar nga UEFA, ka shpresa për të blerë bileta./ZËRI