
LONDËR - Chelsea ka nxjerrë në shitje sulmuesin shqiptar Armando Broja, gjatë merkatos të janarit, sipas raportimeve të mediave sportive. 22-vjeçari mungoi për më shumë se gjashtë muaj vitin e kaluar në fushat e blerta, pasi pësoi një dëmtim në ligament në dhjetor 2022, por u kthye tek Chelsean në shtator. Broja ka shënuar dy gola në 17 paraqitje për Chelsean këtë sezon, por nuk ka qenë në gjendje të sigurojë një vend si titullar në ekip nën drejtimin e Mauricio Pochettinos.
Wolves, West Ham dhe Fulham kanë shprehur interesim për shërbimet e sulmuesit të Shqipërisë. Dhe sipas The Athletic, Chelsea do të ishte i gatshëm të shesë Brojën, me një marrëveshje të përhershme. Raportimi shton se e ardhmja e Brojës nuk varet nga fakti nëse Chelsea do të jetë në gjendje të nënshkruajë me një sulmues të ri, para fundit të afatit kalimtar të janarit.

Pasi shënoi në fitoren 4-0 të Chelseas ndaj Preston North End në raundin e tretë të Kupës FA në fillim të këtij muaji, Pochettino tha se Broja ka një potencial të mahnitshëm. “Dua të jem i sinqertë. Broja duhet të aktivizohet në ndeshje të tilla, me qëllim që të mund edhe të përmirësohet. Ka potencial të mahnitshëm dhe mund të rritet më tepër si lojtar”, tha Pochettino.
Trajneri shtoi se Armando Broja duhet të përmirësohet për çdo ditë dhe se mund të arrijë edhe në majat e futbollit europian./Metro -ZËRI/