
SHBA- Ka zhvillime të reja nga gjyqi mes Blake Lively dhe Justin Baltonit, pas padisë së aktores 37-vjeçare ndaj producentit të filmit "It ends with us". Aktorja e akuzon kolegun e saj për ngacmim seksual. Sipas mediave të huaja, Lively po planifikon një veprim të ri ligjor, madje pretendojnë se padia e ngritur nga aktorja është vetëm “maja e ajsbergut”. Blake Lively e akuzon Baldonin për ngacmim seksual dhe se kishte krijuar një mjedis pune armiqësor gjatë xhirimit të filmit.
"Blake Lively shpërtheu në lot para Ryan Reynolds"
Sipas burimeve, Lively po planifikon lëvizje të reja ligjore, e vendosur për të ekspozuar fushatën e shpifjeve që dyshohet se është organizuar nga Baldoni.
“Blake Lively dëshiron që të gjithë të përfshirë në këtë përpjekje për të shkatërruar reputacionin e saj të mbahen përgjegjës,”- tha ekskluzivisht një burim, duke shtuar se aktorja ishte e tronditur nga mesazhet që zbuloi mes bashkëpunëtorëve të Baldonit.
“Blake Lively u shpërtheu në lot para Ryan Reynolds kur ajo lexoi mesazhet që ata po dërgonin për të. Ajo nuk mund ta besonte se kishte arritur në këtë nivel,”- zbuloi burimi, duke shtuar: Lively nuk është një person hakmarrës. Ajo është shumë e drejtë. Por tani ajo po kërkon drejtësi. Ajo është e vendosur të përballet me të gjithë të përfshirë në komplotin kundër saj.
"Ai i kafshoi buzën e poshtme Lively-t gjatë xhirimit të një skene"
Sipas provave të zbuluara rishtazi nga dosja, Baldoni akuzohet se "kafshoi buzën e poshtme të Lively-t gjatë xhirimit të një skene", ndërsa dyshohet se këmbënguli që skena të rixhirohet në mënyrë të përsëritur, pavarësisht shqetësimit të dukshëm të aktores. Baldoni gjithashtu dyshohet se ka bërë pyetje të natyrës seksuale, duke e pyetur nëse Lively dhe bashkëshorti i saj, Ryan Reynolds, përjetonin kënaqësi seksuale, një pyetje që ajo nuk pranoi t'i përgjigjej.
Sipas dosjes, për shkak të fushatës shpifëse të planifikuar nga Baldoni dhe klimës negative të krijuar ndaj Lively, aktorja 37-vjeçare nuk besonte se mund të vazhdonte të bënte dalje publike pa u detyruar të diskutonte hapur atë që ndodhte në xhirime.
Padia e Lively dhe përgjigja e Baldonit
Sipas padisë së bërë nga aktorja 37-vjeçare, gjatë xhirimeve të filmit “It Ends with Us”, është mbajtur një mbledhje e të gjithë anëtarëve për të diskutuar akuzat e saj. Avokati i Justin Baldonit, Brian Friedman, në një deklaratë për New York Times, i cilësoi akuzat e Blake Lively si të rreme dhe të egër, duke i quajtur ato një përpjekje të dëshpëruar për të përmirësuar reputacionin e saj.
“Është e turpshme që zonja Lively dhe përfaqësuesit e saj do të bëjnë akuza kaq serioze dhe kategorikisht të rreme kundër z. Baldoni. Kjo është një tjetër përpjekje e dëshpëruar për të 'rregulluar' reputacionin e saj negativ që vjen si pasojë e veprimeve të saj. Këto pretendime janë krejtësisht të rreme dhe skandaloze me qëllim që të dëmtojnë publikisht z. Baldoni".
Sapo u bë e ditur se Blake Lively ngriti një padi për ngacmim seksual kundër Justin Baldonit, fondacioni "Vital Voices" njoftoi tërheqjen e çmimit të Solidaritetit që i kishte dhënë Baldonit dy javë më parë.
Çmimi u jepet burrave që demonstrojnë "guxim dhe dhembshuri për të drejtat e grave dhe vajzave". Organizata tha se akuzat ndaj Baldonit janë kundër vlerave të tyre./ZËRI