
SHBA- Djali i Nicolas Cage, Weston Cage, akuzohet se ka rrahur nënën e tij, Christina Fulton, pasi ajo u pa nga paparacët me sy të nxirë dhe disa mavijosje në fytyrë. Të dielën, burimet i thanë TMZ se Weston u akuzua si i dyshuar për dhunë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në shtëpinë e saj në Los Anxhelos më 28 prill. Sherri i dyshuar nënë-bir filloi si një grindje verbale përpara se të kthehej shpejt në dhunë, tha një burim për median.
Në shtëpinë e aktores është thirrur ndihma e parë, por ajo nuk është dërguar në spital. Sipas publikimit, autoritetet policore po përcaktojnë nëse rasti do të konsiderohet si sulm i rëndë. Megjithatë, asnjë arrestim nuk është bërë pasi Weston, 33 vjeç ishte larguar tashmë kur oficerët mbërritën.
Të dielën, Fulton u fotografua në një metër parkimi me mavijosje në të gjithë fytyrën. Ndërsa mavijosja në sy ishte veçanërisht e dukshme, faqet dhe balli i saj kishin shenja të verdha të zbehura./ZËRI