BRAZIl- Legjenda e Real Madridit, Roberto Carlos, 51 vjeç, po "strehohet" në objektin stërvitor të skuadrës pasi është në proces divorci nga bashkëshortja e tij. Carlos, i cili u martua me Mariana Luzon në qershor 2009, ka dy vajza me të, Manuela dhe Mariana. Sipas faqes spanjolle 'Estadio Deportivo', çifti kanë vendosur të ndahen pas më shumë se 15 vitesh martesë.
Por procesi i divorcit pritet të jetë i ndërlikuar, për shkak të pasurisë së madhe të Carlos, e cila llogaritet në 160 milionë euro.
Luzon aktualisht po qëndron në rezidencën e tyre kryesore ndërsa prindërit e saj qëndrojnë në pronën e dytë të Carlos, duke "detyruar" ish-mbrojtësin e Brazilit që të transferohet përkohësisht në objektin stërvitor të Real Madridit në Valdebeba. Roberto Carlos kaloi 11 vjet në Real Madrid (1996-2007), duke fituar katër tituj të La Ligës dhe tre trofe të Champions League.
I konsideruar si një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit, ai ishte pjesë e gjeneratës së famshme të 'Galacticos' të Realit, përkrah lojtarëve si David Beckham, Ronaldo dhe Luis Figo. Carlos, i cili fitoi Kupën e Botës me Brazilin në vitin 2002, shkaktoi një sensacion kur zbuloi një dekadë më parë se ka 11 fëmijë me 7 gra të ndryshme.
"Unë kam 7 fëmijë në Brazil, 1 në Meksikë, 1 në Hungari që jeton në Alicante dhe pjesa tjetër në Brazil."
Tre nga fëmijët e tij vijnë nga martesa me gruan e tij të parë, Alexandra Pinheiro./ZËRI