TIRANË- Rasti i rëndë i dhunës së ushtruar ndaj një fëmije 3-vjeçar në një kopsht privat në Tiranë, shkaktoi një reagim të fortë publik. Ndër personazhet e njohura publike, një ragim ka ardhur edhe nga Turjan Hyskos, i cili është shprehur mjaft i prekur. Në reagimin e tij, ai shkruan se i ati i vajzës bënte dy punë për të siguruar të ardhmen e fëmijës së tij dhe ka menduar që kopshti privat është i sigurt, i duhuri. Turi shprehet se prej prindërve të vajzës duhet të marrim një mësim të gjithë si shoqëri dhe ti thuhet stop dhunës.
Postimi në Instagram:
Qava sot! Pashë videon e vajzës 3-vjeçare! Atara për pak muaj mbush 3 vjeçe... vij vërdallë nëpër shtëpi e nuk di se çfarë duhet të bëj, si baba, si burrë, si person publik, si qytetar... nuk di! Më vjen të shkoj te shtëpia e asaj familjes e ti përqafoj! I ati bënte dy punë për të ardhmen e gocës! Një çift normal që sakrifikojnë dhe kanë menduar që kopshti privat është i sigurt, i duhuri për fëmijën e tyre. Njerëz të mirë! Kam menduar se çfarë do t’i bëja unë asaj. Oooo sa gjëra kam menduar, por në fakt i dobët do isha unë! Prindërit e vajzës sot na dhanë një mësim të gjithëve si shoqëri! Dhuna prej vitesh po pjell dhunë! Ndoshta ka ardhur koha që ti themi stop duke u bërë më të mirë, jo duke u përgjigjur me dhune..
Dhunimi i 3-vjeçares në kopshtin Stinët ndodhi në datën 1 Nëntor. Drejtuesja e kopshtit, i cili vepronte pa licensë dhe në ilegalitet të plotë, ka tentuar ta fshehë ngjarjen, duke iu thënë prindërve të së miturës, se këmba i ishte ënjtur si pasojë e një pickimi. Por pamjet e transmetuara në emisionin Stop vërtetuan të kundërtën, ku shihej edukatorja që dhunonte të miturën, teksa fëmijët ishin duke fjetur gjumin e drekës. Për dy orë 3-vjeçarja u mbajt duke qarë në kopsht, dhe më pas u bë njoftimi i prindërve të saj, të cilët u përballën dhe me sjelljen arrogante dhe aspak profesionale të punonjësve të policisë, 3 prej të cilëve u pezulluan./ Zëri.ai