
TIRANË- Klubi i Tiranës ka reaguar në lidhje me lajmin se asetet e bardhëebluve kanë dalë në ankand dhe shiten për 1.6 milion euro. Në një reagim klubi sportiv, i cili drejtohet nga Refik Halili shprehet se ky është një dezinformim dhe pjesë e një skenari të qëllimshëm, totalisht spekulativ dhe me prapavijë dashakeqe dhe komploti. Sipas KFT, po synohet tjetërsimi i aseteve të klubit sportiv.
DEKLARATA E KLUBIT:
Klubi i Futbollit Tirana, nëpërmjet këtij reagimi, kërkon të sqarojë opinionin publik për një dezinformim të qëllimshëm, që është përhapur në media, për sa i përket falimentit të klubit! Ky lajm, është pjesë e një skenari të qëllimshëm, totalisht spekulativ dhe me prapavijë dashakeqe dhe komploti, për të synuar tjetërsimin e aseteve të KFT. Ju bëjmë me dije se ekipi ligjor dhe stafi i klubit, është në dijeni të plotë të këtij skenari dhe ka marrë të gjitha masat, për ta bllokuar dhe denoncuar në të gjitha instancat ligjzbatuese përfshirë dhe hapat ligjorë te ndjekjes penale.
Njëkohësisht, klubi thekson se këto janë çështje të cilat synojnë të dëmtojnë imazhin e Klubit më të suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar, duke siguruar se nuk ka asnjë problem likuiditeti. Asnjë veprim abuziv dhe asnjë person, kushdo qoftë ai, nuk do mund të arrijë të realizojë skenarë që dëmtojnë interesat e Klubit të Futbollit të Tiranës si në aspektin administrativ, ashtu dhe në atë sportiv. Sigurojmë të gjithë dashamirësit, tifozët, bashkëpunëtorët dhe partnerët, se Klubi i Futbollit Tirana, do të vazhdojë rrugëtimin e tij, për të arritur objektivat sportivë dhe se asgjë dhe askush, nuk mund dhe nuk do të cënojë ekzistencën, mbarëvajtjen apo edhe funksionimin e klubit.
Më herët gjatë ditës së sotme u raportua se aksionet e klubit sportive partizani janë nxjerrë në anksand opër 1.6 milion euro. Konkretisht në anskand, thuhej se kishin dalë 66% e aksioneve, ndërsa pjesa tjetër 34 % do të vijonin të ishin në pronësinë e Bashkisë së Tiranës./ZËRI