
SHBA- Shkencëtarët thonë se kanë eliminuar me sukses virusin HIV nga qelizat e infektuara, duke përdorur teknologjinë e modifikimit të gjeneve "Crispr", teori që fitoi edhe çmimin "Nobel". Sipas BBC, duke punuar si gërshërë, por në nivel molekular, priten pjesët e "këqija" të ADN-së në mënyrë që virusi të hiqen ose çaktivizohet.
Deri më tani, ilaçet ekzistuese të HIV-it mund ta ndalojnë veprimtarinë e virusit, por jo ta eliminojnë atë.
Ekipi i Universitetit të Amsterdamit, duke paraqitur një përmbledhje të gjetjeve të tyre theksoi se puna e tyre mbetet thjesht "provë e konceptit" por nuk do të aplikohet si kurë për HIV-n. Dr. James Dixon, profesor i asociuar i teknologjive të terapisë së gjeneve dhe qelizave staminale në Universitetin e Nottingham, pajtohet me grupin nga Holanda duke u shprehur se gjetjet duhen shqyrtuar ende.
“Do të nevojitet shumë më tepër punë për të demonstruar rezultatet në këto analiza qelizore,”- tha ai.
Shkencëtarë të tjerë po përpiqen gjithashtu të përdorin Crispr kundër HIV. Edhe "Excision BioTherapeutics" thotë se pas 48 javësh, tre vullnetarë me HIV nuk kanë efekte anësore serioze. Por Dr. Jonathan Stoye, një ekspert i viruseve në Institutin Francis Crick, në Londër, tha se heqja e HIV nga të gjitha qelizat që mund ta mbajnë në trup ishte "jashtëzakonisht sfiduese".
“Efektet afatgjata, mbeten një shqetësim. Prandaj duket se ka shumë gjasa që do të kalojnë shumë vite përpara se një terapi e tillë e bazuar në Crispr të bëhet rutinë,"-tha ai.
HIV infekton dhe sulmon qelizat e sistemit imunitar. Edhe me trajtim efektiv, disa kalojnë në një gjendje pushimi ose latente - por ende e mbahet në ADN-në, ose materialin gjenetik. Shumica e njerëzve me HIV kanë nevojë për terapi antiretrovirale gjatë gjithë jetës. Nëse ndalojnë marrjen e këtyre barnave, virusi i fjetur mund të rizgjohet dhe të shkaktojë sërish probleme./ZËRI