
KOSOVË- Miss-i i parë në Kosovë, Afërdita Paqarada ka bërë së fundmi një rrëfim prekës për "betejën" me sëmundjen e rëndë të kancerit. Në një intervistë për emisionin "Pro X" në Kohavision ajo ka treguar se për këtë arsye ka ndihmuar fëmijët e vegjël në repartin e Onkologjisë në spitalin e Pediatrisë.
“Ka qenë një nga sfidat më të vështira që më është dashur t’i përballoj në jetë. Nuk është e lehtë edhe të flasësh, por kur e shoh rezultatin e bisedave të mija, që po ju ndihmojnë atyre, kjo gjë më përmbush edhe mua. Edhe kur mendoni se shanset nuk janë në favorin tuaj, është shumë e rëndësishme të besoni në mrekulli dhe është më rëndësi që këta njerëz ta kenë përkrahjen e të dashurve dhe të afërmve, në mënyrë që një gjendje e tillë të tejkalohet”, ka thënë Afërdita, duke shpjeguar se ka shume njerëz të cilët e kontaktojnë për t’i kërkuar këshilla se si të përballen me këtë sëmundje.
Miss-i ndër të tjera ka folur edhe për raportin e saj më fëmijët me të cilët thotë se është shumë e lidhur.
“Nuk besoj në raportin ‘shok’ kur bëhet fjalë te prindërimi, sepse fëmijëve u duhet dikush që t’i këshillojë dhe ka shumë këshilla që ndoshta nuk ju pëlqejnë por duhet t’i dëgjojnë, e që një shok nuk t’i jep dhe unë si nënë e shoh më ndryshe dhe e kom më rëndësi të jap mendimin e asaj se çka unë e vlerësoj. Përndryshe kam raport shumë të shëndoshë, jam shumë e lidhur me fëmijët”, ka shpjeguar ylli.
Afërdita Paqarada, në moshën 17-vjeçare është shpallur për herë të parë Miss Kosova në vitin 1990 dhe u bë e para kosovare që mbajti këtë titull./ZËRI