
GJERMANI- Përveç përballjes me një skuadër të madhe, siç është Italia, djemtë e kombetares kuqezi, sot duhet të thyejnë edhe statistikat, pasi në të gjitha përballjet që kanë pasur me axurrët nuk kanë arritur që të fitojnë.
Italia dhe Shqipëria do të përballen me njëra-tjetrën për të pestën herë në historinë e tyre. Në katër ndeshjet e mëparshme, të kaltrit kanë fituar gjithmonë. Përplasja direkte më e fundit është miqësorja e luajtur në “Air Albania” më 16 nëntor 2022.
Kombëtarja italiane fitoi 3-1 falë golave të Di Lorenzo dhe Griffo (dopietë). Goli i vetëm i Shqipërisë u realizua nga Ismajli. Në total, Italia ka shënuar 7 gola dhe ka pësuar 2 të tillë ndaj kuqezinjve.
Veç Italisë, Shqipëria përballet edhe me Spanjën dhe Kroacinë në Grupin B të Euro 2024.
Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht dhe të gjithë kanë besimin se mund të bëjnë një paraqitje sa më dinjitoze në arenën europiane. Në konferencën për shtyp, trajneri Silvinjo tha se ekipi është përgatitur maksimalisht dhe me besojnë fort se mund të bëjë një paraqitje pozitive në Dortmund. Në krah të tij ishte dhe kapiteni Berat Gjimshiti, i cili ndonëse i di mjaft mirë cilësitë e kundërshtarit të tij theksoi se kombëtarja shqiptare do të japë zemrën në fushë për të nisur mbarë këtë kompeticion. /ZËRI