
KORÇË- Ndahet nga jeta në moshën 72-vjeçare poeti i njohur korçar, Skënder Rusi. Ai është vleresuar si një ndër lirikët më të mirë dhe bashkëkohorë për krijimtarinë e tij, ndërsa numëron 25 vëllime me poezi që kanë bërë për vete mijëra lexues, jo vetëm në Shqipëri. Rusi është konsideruar nga kritikët si një kontribues i vyer në promovimin e vlerave të kulturës dhe letërsisë shqipe bashkëkohore.
Skënder Rusi ka lindur në vitin 1952 në Korçë dhe ka mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi. Në vitin 1984 është diplomuar për dramaturgji dhe në vitin 1998 për drejtues biblioteke në Kajro. Jeta krijuese e poetit Skënder Rusi është e lidhur me qytetin e Korçës, qytet të cilit si rrallëkush më parë, i ka kushtuar një libër me 100 poezi.
Për artin letrar të tij, poeti Skender Rusi ka marrë vlerësime të shumta, ku më i fundit është vlerësimi me titullin "Qytetar Nderi i Korçës", në vitin 2021. Skënder Rusi ka ideuar aktivitetin më të rëndësishëm poetik, “Netët Korçare të Poezisë”, i cili është shndërruar në traditë dhe pret poetë Kosova, Greqia, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Italia etj. Krijimet poetike të poetit Skënder Rusi janë botuar dhe përfshirë nëpër antologjitë e disa vendeve të Evropës si në Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Greqi etj./ZËRI