
TIRANË- 1 dhjetori është Dita Botërore e SIDA-s, e krijuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 1988 për të rritur ndërgjegjësimin për sëmundjen dhe virusin që e shkakton atë, HIV. Kjo ditë shërben si një mundësi për njerëzit në mbarë botën që të bashkohen në luftën kundër HIV/AIDS , për të treguar mbështetje për njerëzit që jetojnë me këtë sëmundje dhe për të përkujtuar ata që kanë humbur jetën nga një sëmundje e lidhur me AIDS.
Ndëkohë disa masa të reja janë ndërmarrë për eliminimin e rasteve të reja të HIV-it në Britaninë e Madhe. Kushdo që ka një analizë gjaku në njësitë e përzgjedhura të spitalit A&E në Londër, është testuar gjithashtu për HIV, Hepatitin B dhe Hepatitin C. Projekti pilot i “testimit” ka identifikuar më shumë se 3,500 raste të tre infeksioneve të transmetuara nga gjaku që nga prilli 2022, duke përfshirë më shumë se 580 raste me HIV.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, vendi ynë është me incidencë të ulët të përhapjes së këtij infeksioni. Numri i rasteve të reja të diagnostikuar në vitin 2023 është 113. Ashtu si dhe në vitet e mëparshme, më shumë meshkuj se femra u diagnostikuan me HIV në vitin 2023, respektivisht 87 dhe 26.
Në vendin tonë janë 15 qendra ku kryhet testi HIV, me një shpërndarje në të gjithë vendin. Testimi për HIV është i disponueshëm në qendrat e këshillimit dhe testimit vullnetar (QKTV), Klinikën Ambulatore në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, Laboratorin e Mikrobiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, SUSM “Shefqet Ndroqi”, SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koco Gliozheni”, Spitalet Rajonale, laboratorët/klinika/spitale dhe në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP).