
TIRANË- Normat e obezitetit parashikohen të rriten edhe më shumë gjatë 25 viteve të ardhshme. Parashikohet se një e treta e fëmijëve dhe adoleshentëve në botë do të jenë mbipeshë ose obezë deri në vitin 2050. Në fakt, një rritje e konsiderueshme parashikohet gjatë 5 viteve të ardhshme. Kështu njoftoi Instituti i Kërkimeve për Fëmijët në Australi, Murdoch.
“Komplikimet që lidhen me një indeks të lartë të masës trupore (BMI), duke përfshirë diabetin, kancerin, problemet e zemrës, problemet e frymëmarrjes, fertilitetin dhe shëndetin mendor, do të ndikojnë negativisht tek fëmijët dhe adoleshentët tanë tani dhe në të ardhmen. Ata do të kenë potencialin të ndikojnë edhe në rrezikun e obezitetit dhe cilësinë e jetës së nipërve tanë në dekadat e ardhshme,”- tha Dr. Jessica Kerr.
Parashikimet janë publikuar në revistën "The Lancet" në një kohë kur shkalla globale e obezitetit për njerëzit e moshës 5-24 vjeç tashmë është trefishuar nga viti 1990 në 2021.
Rreziqet për fëmijët dhe të rriturit
Fëmijët obezë janë të rrezikuar nga astma, apnea të gjumit, problemet me kockat dhe kyçet, diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës. Po ashtu, fëmijët obezë gjithashtu kanë më shumë gjasa të jenë obezë edhe si të rritur. Të rriturit obezë kanë një rrezik më të lartë për goditje në tru, shumë lloje kanceri, sëmundje të zemrës, vdekje të parakohshme dhe sëmundje mendore.
Sipas Kerr dhe autorëve të tjerë të studimit, më shumë se gjysma e të rriturve do të jenë mbipeshë ose obezë deri në vitin 2050.
Nëse planet e veprimit nuk zhvillohen menjëherë, e ardhmja është e zymtë për të rinjtë. Po sipas studiuesëve, objektivi i parë duhet të jenë vajzat e grumoshës 15-24-vjeç./ZËRI