TIRANË- Intervista e Arbana Osmanin, me shkrimtarin dhe ish-drejtorin e saj në Big Brother, Ben Blushi, ka marrë një sërë reagimesh në rrjetet sociale. Teksa ishte ftuar për prezantimin e librit të tij të ri, Blushi nuk harroi të përmendte faktin që e kishte ndihmuar Arbanën që të ishte ajo drejtuesja e Big Brother. Arbana e vuri Blushin përballë një pyetjeje që ngjalli kureshtje te publiku: kë do zgjidhte mes saj dhe Ledion Liços për të drejtuar një format reality.
“Ty patjetër! Ti je më e mira për atë punë. Më vjen keq që nuk e bën ‘Big’-un. Ata donin që ta bënte Ledioni, por unë nuk pranova. Vura veton për ty dhe bëra shumë mirë”, u shpreh Blushi, duke e vënë në siklet moderatoren, që tha se një rrëfim të tillë e kishte dëgjuar dhe më herë.
Deklarata e Blushit u përhap menjëherë në rrjetet sociale dhe ndezi diskutime mbi vendimet e marra në prapaskenat e televizionit. Pak minuta pas kësaj deklarate, teksa intervista ende transmetohej ‘live’, Liço reagoi në mënyrë të tërthortë përmes një postimi në Instagram.
Ai publikoi një thënie të famshme të Jim Carrey: “Unë mendoj se të gjithë duhet të bëhen të pasur dhe të famshëm, që të kuptojnë se kjo nuk është përgjigjja”.
Postimi i Ledionit u interpretua nga ndjekësit si një reagim filozofik dhe disi ‘thumbues’ ndaj deklaratës së Blushit.