
PRISHTINË- Edon Zhegrova, Arijanet Muriç dhe Florent Muslija, u përjashtuan nga radhët e Kombëtares së Kosovës pak javë më parë, por ky vendim është shpallur "nul" nga Federata e Futbollit të Kosovës. Në faqen zyrtare të Federatës është shpërndarë letra e tre futbollistëve, të cilët kërkojnë falje për sjelljen e tyre dhe faktin që nuk i kanë zbatuar rregullat e grumbullimit. Njëzëri kërkojnë ndjesë tifozëve, trajnerit dhe Federatës.
"Të nderuar: Bashkëlojtarë, trajner, Federatë dhe mbi të gjitha tifozë të Kombëtarës së Kosovës. Po u drejtohemi me këtë letër për t'u thënë se kemi bërë një gabim dhe nuk i kemi ndjekur rregullat e ekipit kombëtar! Për këtë ne duam ti kërkojmë falje, trajnerit, bashkëlojtarëve, Federatës dhe tifozëve. Ne duam të luajmë për shtetin tonë dhe gjithmonë do të bëjmë më të mirë në të ardhmën,"-shkruhet në letër.
Menjëherë pas publikimit të letrës, të tre emrat ishin sot në listën e përzgjedhur nga trajneri Franko Foda për ndeshjet e radhës të Kosovës për ndeshjet që do të zhvillohen dhe janë të vlefshme për Ligën e Kombeve.
Më 9 shtator, Federata e Futbollit të Kosovës vendosi të përjashtonte nga grumbullimi për Ligën e Kombëve asin e Kombëtares, Edon Zhegrovën, Florent Muslijen dhe portierin Arijanet Muriç. Të tre akuzoheshin për “thyerje të rregullores disiplinore”. Pas humbjes me Rumaninë, ata u panë në një klub nate në kryeqytet. Madje njëri prej tyre, tentoi që të fuste edhe vajza në hotel, gjë që është e ndaluar.
Vetë Edon Zhegrova i kishte cilësuar lajmet si të pavërteta. Edhe portieri Muriç i ka mohuar akuzat se kishte dalë për t'u argëtuar në klube të natës. Ky i fundit ka qenë i pezulluar edhe më parë nga FFK-ja, pasi kishte pretendimet se kishte shkuar i dehur në stërvitje. Ndryshe nga Zhegrova dhe Muriç, Florent Muslija nuk e komentoi kurrë ngjarjen./ZËRI