
TIRANË-Në prag të ndeshjes së shumëpritur Shqipëri–Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026, Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar një listë me rregulla të rëndësishme për të gjithë tifozët që do të ndjekin sfidën në stadiumin “Air Albania”.
Në njoftim FSHF thekson se hyrja në stadium do të jetë e mundur vetëm për ata që janë të pajisur me mjet identifikimi dhe një biletë të vlefshme. Të gjithë tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të detajuara nga stjuardët dhe nuk do të lejohet në asnjë rast kalimi i pengesave rrethuese.
Po ashtu Federata ka paralajmësuar se mbajtja e armëve të zjarrit apo të ftohta, parrullat me përmbajtje urrejtjeje, biletat false, si dhe futja në fushë, do të ndiqen penalisht. FSHF rikujton se stadiumi është nën mbikëqyrje të vazhdueshme me kamera sigurie dhe çdo shkelje do t’i referohet menjëherë organeve ligjzbatuese.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë pritet të zhvillohet në një atmosferë të ndezur, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë brenda dhe jashtë stadiumit./ZËRI