
PRAGË- Më shumë se 1000 tifozë kuqezi kanë shkuar në Pragë për të ndjekur live ndeshjen e Kombëtares Shqiptare të Futbollit, kundër Çekisë. Ndeshja do të lhet sot në orën 20.45 dhe është e vlefshme për grupin B1 në Ligën e Kombeve. Të dyja skuadrat kanë nga tre pikë në renditje dhe sot "luftojnë" për kreun e grupit, që do t'u japë një shans kualifikimi në botërorin e ardhshëm.
Shqipëria është ndeshur tre herë kundër çekëve, duke siguruar një fitore, një barazim dhe një humbje.
Kështu që sot, Shqipëria ka mundësinë për të ndryshuar statistikat. Në listën e sotme të lojtarëve, Sylvinho nuk do ketë me vete këtë mbrëmje të dëmtuarit Broja, Manaj, Gjimshiti, Uzuni dhe Medon Berisha. Por po ashtu, edhe pse e ka marrë me vete, ka vendosur që Feta Fetain ta lërë në tribunë.
Por edhe ata që janë pjesë e listës duhet të bëjnë kujdes! Konkretisht Jasir Asani dhe Thomas Strakosha duhet të shmangin kartonat e verdhë në Pragë. Kjo pasi, nëse ndëshkohen do të mungojnë kundër Gjeorgjisë, sfidë që do të zhvillohet në Tiranë, më 14 tetor. Edhe sonte, Sylvinho pritet që të luajë me skemën 4-3-3, por formacioni i plotë do të zbulohet vetëm pak minuta para ndeshjes.
Ndeshjet janë të vlefshme për Nations League. Shqipëria ka fituar me Ukraninën me rezultatin 2-1; ndërsa me Gjeorgjinë, kuqezinjtë humbën me rezultatin e ngushtë, 0-1. Aktualisht, vendin e parë në grup e ka skuadra e Gjeorgjisë, e cila ka grumbulluar 6. Shqipëria ndan vendin e dytë me Çekinë, secila me nga 3 pikë. Nations League është e rëndësishme pasi 4 skuadrat më të mira nga vendet e para, kualifikohen për në play-off për Kupën e Botës. Pra vendi i parë në grup na jep shanse që në vitin 2026, të jemi pjesë e Kampionatit Botëror./ZËRI