
TIRANË-Këngëtarja Jonida Maliqi ka rikthyer në vëmendje gjyqin ndaj ish-bashkëshortit, Gent Prizreni. Gjykata e Tiranës në nëntor 2024, i dha asaj të drejtë këngëtares, pas padisë së ngritur nga këngëtarja se ish-bashkëshorti nuk ka përmbushur detyrimet për të birin. Në lidhje me rastin Maliqi ka treguar vështirësitë, teksa rrëfen se ishte e detyruar ta bënte publike për të mbrojtur djalin e saj. Këngëtarja është shprehur se nuk është penduar për rrugën që zgjodhi, dhe do e bëne sërish publike nëse do të kishte padrejtësi.
Çfarë nuk do të toleroje kurrë në lidhje me djalin tënd?
Jonida Maliqi: Nuk do të lejoja kurrë që ta cënonin, ta bullizojnë atë, të vritej ai psikologjikisht, edhe nuk do doja që asnjë gjë e keqe ti ndodhte atij. Me mish e me thonj do bëja të pamundurën që ta mbroja nga çdo e keqe.
Sa e vështirë është për një nënë të mbrojë të drejtën e fëmijës, kur përballet me padrejtësi?
Jonida Maliqi: Një nënë mund të luftojë edhe me mullinjtë e erës. Për më tepër unë si personazh publik, arrita në një pikë ku nuk më është dashur të arrij por u detyrova ta bëja publike për të patur drejtësi. Nuk jam penduar, mu desh të mbroja veten dhe tim bir, mund të më duhet ta bëj përsëri.
Këngëtarja Jonida Maliqi hodhi në gjyq ish-bashkëshortin e saj, Gent Prizrenin për shkak se nuk paguan pensionin ushqimor për djalin, i cili ka nevoja për përkujdesje të veçanta për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Në kërkesën e saj, këngëtarja parashtronte se ish-bashkëshorti nuk kishte bërë pagesën prej 2 mijë eurove në muaj për 'pensionin' e të birit, ashtu siç kishin rënë dakord.
Një tjetër pikë ku përplasen palët është edhe apartamenti ku jeton këngëtarja, bashkë me djalin, Danin. Këngtarja pretendon se apartamenti është “banesë bashkëshortore”, por biznesmeni nuk e ka respektuar marrëveshjen për të blerë një apartament të ri për të, por as për të birin. Në kërkesëpadi theksohet se kur ka ndodhur divorci ish-bashkëshorti ishte pronar ose bashkëpronar i shumë pasurive, sidomos të paluajtshme të ndodhura në shumë lokalitete të Shqipërisë, që mund të vlerësoheshin në masën 3-4 milionë euro. Në fund gjykata vendosi që ish-bashkëshorti të shlyejë detyrimet sipas marrëveshjes së caktuar nga divorci./ZËRI