TIRANË-Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar një letër zyrtare Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, përmes së cilës e njofton për revokimin e mbështetjes së saj ndaj kandidaturës së Gianni Infantino për një mandat të ri katërvjeçar në postin e Presidentit të FIFA-s.
Në letrën e firmosur nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, theksohet se, pas konsultimeve të mëtejshme të brendshme dhe një shqyrtimi të kujdesshëm të situatës, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të tërheqë mbështetjen e dhënë më parë për kandidaturën e Infantino.
Vendimi vjen në vijim të zhvillimeve të fundit në futbollin ndërkombëtar dhe qëndrimeve të shprehura nga federatat europiane lidhur me proceset e qeverisjes së FIFA-s. Federata si ajo e Anglisë, Finlandës, Uellsit dhe tanimë e Shqipërisë, kanë tërhequr mbështetjen që i kishin dhënë Gianni Infantinos për ta mbështetur për një mandat të katërt në krye të FIFA-s, në zgjedhjet që pritet të mbahen në vitin 2027.
LETRA NË FIFA NGA PRESIDENTI I FSHF, ARMAND DUKA:
Nëpërmjet e-mail
Tiranë, 6 gusht 2026
Për:
Mattias Grafstrom
Sekretar i Përgjithshëm
FIFA
Subjekti: Tërheqja e mbështetjes për zgjedhjet e FIFA-s: Kandidati për President – Gianni Infantino
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm, i nderuar z. Grafstrim,
Më 20 maj 2026, Federata Shqiptare e Futbollit dorëzoi letrën e saj të mbështetjes për kandidaturën e z. Gianni Infantino për një mandat të ri katërvjeçar si President i FIFA-s.
Pas konsultimeve të mëtejshme të brendshme dhe një shqyrtimi të kujdesshëm, dëshirojmë t’iu informojmë zyrtarisht se Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të tërheqë mbështetjen e saj për kandidaturën e z. Infantino.
Prandaj, ju lutemi ta pranoni këtë letër si njoftimin zyrtar se Federata Shqiptare e Futbollit revokon mbështetjen e saj të mëparshme për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s.
Do ta vlerësonim nëse do të merrnit shënim këtë vendim dhe do të përditësonit regjistrat tuaj në përputhje me të.
Me respekt,
Armand Duka
President
Federata Shqiptare e Futbollit