
TIRANË- Një prej banoreve të njohura të “Ferma VIP”, Elinara, ka ndarë për publikun një përvojë të rëndë dhe traumatike që ka përjetuar gjatë adoleshencës, në kohën kur po përpiqej të bëhej e pavarur. Ajo ishte vetëm 18 vjeç kur, gjatë pushimeve verore, vendosi të punonte në një butik për të mos qenë më e varur nga prindërit.
“Gjatë pushimeve të verës, doja të isha e pavarur nga prindërit. Fillova punë në një butik. Një ditë po prisja autobusin për në punë dhe një komshi më ofroi të më çonte me një mikun e tij. E njihja, përshëndeteshim çdo ditë nuk kisha pse mos ta besoja”, tregoi ajo në një moment emocional në shtëpinë e famshme.
Por ajo që dukej si një ditë e zakonshme, u kthye në një ngjarje që la gjurmë të madhe në jetën e saj.
“Makina mori një drejtim tjetër nga ai i qendrës, dhe shpejt situata u bë e frikshme. Shoferi kishte një vështrim të egër. U ktheva dhe pashë komshiun tim, ai më bëri shenjë me gisht ‘shttt’. Më kërcënuan: ‘Do të të vrasim. Në atë moment e kuptova që duhej të veproja’,” kujtoi Elinara, e cila arriti të shpëtonte e vetme falë atij akti të guximshëm.
“Hapa siguresën e makinës dhe u hodha nga makina në lëvizje. Rashë në rrugë pa ndjenja. Gjunjët, bërrylat, gishtat, ishin të gjithë të gjakosur. Por gjesti që bëra më shpëtoi jetën. Më mirë të humbja jetën, sesa të bija në duart e tyre.”
Ngjarja, sipas saj, ka lënë pasoja të thella psikologjike. “Më ka lënë një traumë. Kishte shumë raste të përdhunimeve atëherë. Kisha frikë të dilja nga shtëpia. S’isha më e qetë, as kur isha vetëm, as kur isha me njerëz," tha ajo me zë të dridhur.