TIRANË- Në ditët e sotme shpejtësia e internetit është një komponent i rëndësishëm në kryerjen e detyrave të përditshme si arsimi, komunikimi, puna dhe argëtimi.
Bazuar në raportin e Indeksit Global Speedtest të Ookla-s nga qershori 2025, vendi me internetin më të shpejtë mobil në botë janë Emiratet e Bashkuara Arabe, me një mesatare prej 584.97 Mbps, të ndjekura nga Katari (507.47 Mbps) dhe Kuvajti (413.57 Mbps).
Pesë nga dhjetë vendet e para janë nga rajoni i Gjirit, duke treguar zhvillim të shpejtë në infrastrukturën e tyre të internetit në celular. India renditet e 26-ta në nivel global me një shpejtësi mesatare shkarkimi prej 133.51 Mbps, një përmirësim prej tre pozicionesh nga viti i kaluar. Ndërsa për internetin fiks, kryeson Singapori me një shpejtësi prej 386.96 Mbps, i ndjekur nga Kili dhe Hong Kongu.
Sa i përket vendeve të Ballkanit, Maqedonia e Veriut kryeson në rajon për internetin mobil: 161.53 Mbps, ndërsa Serbia prin për internetin fiks: 92.21 Mbps. Bosnjë-Hercegovina ka shpejtësitë më të ulëta në rajon për të dy kategoritë.
Shqipëria renditet në vendin e 41-të për internet mobil 104.11 Mbps, ndërsa në vendin 76-të për internetin fiks. Jo shumë vende larg renditet edhe Kosova, ku për internet mobil zë vendin e 45-të, kurse për atë fiks në vendin e 82-të.

/ZËRI