
TIRANË- Sot, Shqipëria feston 112 vjet shtet! Padyshim që në një ditë si kjo të gjithë jemi më të ndërgjegjshëm për historinë e vendit tonë, që shpesh herë e kemi të shkuar por edhe të 'përkthyer' në filma dhe shfaqje teatrale. ZËRI ka bërë një listë të shkurtër me filmat dhe shfaqet që nuk duhet të lini pa i parë sot, për t'ju përshtatur edhe festës. Sigurisht që vendin e parë e mban "Nëntori i dytë", por nuk duhet që të mungojë as "Skëndërbeu" dhe të tjerë filma që sigurisht do të rrisin dozën e patriotizmit sot. Hidhini një sy sugjerimeve tona...
Nëntori i Dytë
Nëntori i dytë është një film dramatik historik shqiptar i vitit 1983 me regji të Viktor Gjikës. Filmi bazohet në ngjarjet e vërteta që çuan në pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912.
Skënderbeu
Filmi është një film historik mbi jetën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Gjergj Kastioti bashkon princërit shqiptarë duke u martuar me Donika Kastrioti dhe duke organizuar Besëlidhjen e Lezhës, por përballet edhe me tradhtinë e Hamza Kastrioti, nipi i tij. Filmi ka skena masive të betejave historike dhe rrethimit të Krujës. Është filmi i parë artistik, frut i bashkëpunimit shqiptaro-sovjetik.
Kush vdes në këmbë
Film portret i bazuar në episodet e jetës dhe aktivitetit patriotik të mësuesit Petro Nini Luarasi i cili në fund të shekullit 19 ishte aktiv në mbrojtjen e shkollës dhe gjuhës shqipe.
Balada e Kurbinit
Filmi flet per fatin e ushtarëve që nisen në luftë si mercenarë dhe kthehen të vdekur. Vajzat e fshatit presin e presin te fejuarit per t'u kthyer nga lufta dhe më në fund martohen me të tjerë. Një vezir (e Perandorisë Osmane) mundohet të martohet me një grua të re e të bukur, e cila është e lodhur nga pritja e gjatë dhe burrit ushtar.
Mësonjëtorja
Dafina, nje grua e vjetër e shkolluar kthehet në qytet për të hapur shkollën e parë për vajzat. Ajo ndeshet me pengesat dhe intrigat e thurura nga kreu i Sanxhakut i cili kërkon rrugë të ndryshme për ta nxjerrë Dafinën nga qyteti. Për të ndaluar përpjekjet e saj për ngritjen e shkollës kleri përpiqet të helmojë dhe çkishërojë Dafinën. Shkollën e djegin. Xhaxhai i saj Stefan Bardhi, luftëtari Kajo dhe çifti që e strehon Dafinën e ndihmojnë atë.
Udha e Shkronjave
"Udha e shkronjave" është titulli i filmit artistik shqiptar, prodhimi vitit 1978 nga stafi i R.T.V.SH. Mësues Dhaskal Todri, një patriot, i cili kishte ardhur nga jashtë shtetit, kishte lënë gjithë pasurinë e tij për të sjellë në Shqiperi nje ngarkesë me shkronja tunxhi dhe krijimin e shtypshkronjës së parë. Me kthimin e tij në atdhe, armiqtë e tij nuk ishin të kënaqur. Karvanxhiu i thjeshtë që e shoqëronte ngarkesën nuk arrin ta kuptojë dot patriotin, se përse kishte kaq shumë vlerë e gjithë kjo. Mësues Todri nuk pati mundësinë të arrijë në vendlindje pasi armiqtë e gjuhës shqipe e vrasin mësuesin patriot.
Muri i Gjallë
Filmi bazohet dhe e zhvillon subjektin e një legjende të njohur të sakrificës në kështjellën e Rozafës si një interpretim i lirë i asaj që njerëzit kanë ruajtur në shekuj. Tre vëllezër të martuar vendosin të sakrifikojnë në kështjellë gruan që do tu shpjerë drekën në mënyrë që muri të mos rrëzohet përsëri në tokë.
Shikim të këndshëm!/ZËRI