
TIRANË- Kolegji Zgjedhor ka zhbllokuar këtë të mërkurë “ngërçin” e krijuar nga Komisioni Rregullator i Komisonit Qendror të Zgjedhjeve, duke miratuar afatet për zgjedhjet në Himarë. Kështu, bëhet me dije se partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 4 Gushtit kanë afat deri më 22 Korrik, në orën 16:00, që të dorëzojnë kërkesën për regjistrim në zgjedhje. Ndërsa koalicionet kanë afat deri më 24 Korrik në orën 12:00.
"Partitë të bëjnë kërkesë në KQZ për regjistrim deri më 22 korrik ora 16:00. Koalicionet afat për t'u regjistruar në KQZ deri më 24 korrik ora 12:00. Fushata zgjedhore për zgjedhjet në Himarë fillon më 27 korrik. Dokumentet e kandidimit paraqiten në KZAZ për verifikim deri më 25 korrik", thuhet në vendimin e Kolegjit Zgjedhor.
Partia Socialsite do të garojë në këto zgjedhje me emrin e ish-deputetit Vangjel Tavo, ndërsa Partia Demokratike do të garojë me Petro Gjikurinë. Ky i fundit ka nisur këtë të mërkurë fushatën zgjedhore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten e 12 Korrikut që ti hiqte përfundimisht mandatin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Belerit. Vendimi u dha dhe në prani të këtij të fundit, i cili u shoqërua në ambientet e KQZ me policë. Pas vendimit të marrë nga KQZ, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht si ditën ku do të mbahen zgjedhjet e reja. Fredi Beleri u arrestua më 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 Majit dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për blerje votash. Ndërkohë Gjykata e Posaçme e Apelit e ka dënuar Belerin me 2 vjet burg. ZËRI mëson se pas negociatave mes PBDNJ dhe Partisë Demokratike është rënë dakord që opozita të garojë për Bashkinë Himarë me emrin e biznesmenit shqiptaro-amerikan, Petro Gjikuria. Pavarësisht se prej ditësh ishte përfolur emri i Petro Belerit, djali i Afred Belerit për të qenë kandidat, dy forcat politike nuk kanë rënë dakord për të qenë ai kandidati për Himarën./ZËRI