
TIRANË- Yuri Kim rikthehet në Shqipëri! Por kësaj herë jo si ambasadorje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, por me një post të ri. Sot, ajo rikthehet në vendin tonë si zv.ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Ndaj edhe gjatë gjithë ditës së sotme, ajo do të shoqërojë sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken në ndalesën e tij 8 orëshe në Tiranë. Vend që ajo e njeh mirë, pasi ka shërbyer si ambasadore deri në qershor të vitit 2023. Rikthimin duket se e paralajmëroi në fjalimin e lamtumirës, ku tha: Në pozicionin tim të ardhshëm do të kem përgjegjësi për gjithë Evropën dhe për Shqipërinë, mbase jo të gjithë do të jenë të kënaqur për këtë, por unë jam. E shpreha edhe më herët jam prekur dhe kam ndryshuar nga përvoja ime këtu, nëse kthehem në Shqipëri ose jo, Shqipëria do të jetë gjithmonë me mua.
Kështu që sot, ajo do të jetë udhërrëfysja më e besuar e Blinken, në mungesën e një ambasadori amerikan në Shqipëri./ZËRI