TIRANË- Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të ridërguar në Gjykatën e Apelit çështjen për vulën e PD-së, është përzgjedhur edhe trupa e re gjyqësore.
Në Gjykatën e Apelit, gjyqtarët që do të shqyrtojnë çështjen për vulën e Partisë Demokratike janë Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro. Vendimi që do të marrë kjo treshe gjyqësore do të jetë një vendim i formës së prerë. Pritet që relatorja dhe dy anëtaret të përcaktojnë e ‘fatin’ e vulës së Partisë Demokratike.
Vendimi për logon e PD u shqyrtua nga Artur Kalaja si kryesues, Ervin Pupe dhe Darjel Sina si anëtarë. Zbardhja e vendimit i hap rrugën nisjes së procesit në Gjykatën e Apelit.
Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë rreth vulës së Partisë Demokratike, Kolegji thekson se Gjykata e Apelit, përpara se të kalonte në fazën e shqyrtimit të çështjes dhe të merrte në shqyrtim vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, duhet t’i kishte dhënë përgjigje faktit nëse, vendimi i marrë sipas një gjykimi gracioz, a mund të ankimohet në një shkallë më të lartë gjykimi nga një palë, e cila nuk ka qenë e legjitimuar as nga pikëpamja formale dhe as nga pikëpamja procedurale si palë ndërgjyqëse në procesin gjyqësor të zhvilluar në Shkallë të Parë.
Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës, njohu si të ligjshëm Kuvendin e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, e po ashtu dhe vendimet e dala nga ky Kuvend, i cili shkarkoi të gjitha strukturat dhe figurat drejtuese të partisë së udhëhequr deri në atë kohë nga Lulzim Basha. Po atë ditë, Berisha dhe mbështetësit e tij morën kontrollin e selisë së partisë, pas protestës së dhunshme që u zhvillua më 8 janar të vitit 2022, teksa brenda godinës qëndronte Basha e përkrahësit e tij.
Vendimi u ankimua menjëherë nga deputeti Enkelejd Alibeaj. Përfaqësuesit e Berishës kërkuan nga gjykata e Apelit, mospranimin e ankimit per shkak se sipas tyre Alibeaj nuk legjitimohet për një akt të tillë, ose në alternativë, të pushojë ankimimin si të pabazuar në ligj dhe prova. Nga ana e tyre përfaqësuesit e Alibeaj kërkuan prishjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës, dhe pushimin e çështjes ose në alternativë prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim.
/ZËRI