
TIRANË-Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha komentoi edhe rastin e vrasjes së Egli Progës në Pogradec, duke thënë se është një kambanë alarmi për shoqërinë. Hoxha u shpreh se ngjarja u kthye në krizë dhe u hodh baltë mbo Policinë, duke hedhur poshtë akuzat e familjarëve të të ndjerit.
"Rasti i Pogradecit, kjo është kambana më e madhe e alarmit për shoqërinë shqiptare sesi një ngjarje kthehet në një krizë. U manipuluan të gjitha faktet, u hodh baltë mbi policinë, u shndërrua nga një ngjarje në një krizë. Unë jam ministër i Brendshëm, veprimet e policisë ishin të qarta në përputhje me ligjin. Policia e Shtetit atë ditë ishte në detyrë dhe do të jetë në detyre”, tha ministri.
Policia fillimisht e raportoi ngjarjen si aksidentale, me pretendimin se Proga kishte ndërruar jetë, pasi ishte rrëzuar në tokë në gjendje të dehur. Sipas Prokurorisë, Proga, baba i dy fëmijëve, është dërguar në spital pa shenja jete. Gjykata ka lënë në burg autorin, Denis Meçe dhe dha masën “detyrim paraqitje” për Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç. Familja e Progës ka kërkuar drejtësi./ZËRI