
TIRANË-Fitimi i së drejtës së emigranteve për të votuar pa qenë prezent ne Shqipëri përballet me disa sfida të cilat janë sa teknike po aq dhe financiare. Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do të kushtojë 250 milionë lekë. Qeveria ka vendosur t’i japë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 2.5 milionë euro shtesë vetëm për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë.
250 milionë lekë do të përdoren vetëm për përgatitjen për zgjedhjet, dhe 101 milionë lekë do të shpenzohen për planifikim, menaxhim e administrim brenda institucionit. KQZ ka përgatitur listën me 10 akte që janë të nevojshme për të rregulluar të gjithë procesin nga regjistrimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit deri tek numërimi votës së tyre.
Akti Normativ i Buxhetit të Shtetit: Propozimet sa i takon zërave të shpenzimeve buxhetore, ndër të tjera, konsistojnë në financimin shtesë, në masën 250 milionë lekë për vitin 2024, për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim avancimin në vitin 2024 të procedurave të prokurimit për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 dhe garantimin e implementimit në kohë të sistemit.
Komisioni rregullator ka hartuar një listë me aktet e nevojshme ligjore, duke përllogaritur edhe afatet të cilat duhen respektuar për të garantuar që te shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë kërkesë pranë Ministrisë së Financave për një fond ekstra për zgjedhjet e 2025-s në total afro 4.6 miliardë lekë për shtimin e pajisjeve për votim-numërim-identifikim elektronik, si dhe për shpërblimin e anëtareve të KZAZ, KQV, GNV dhe trajnuesve te tyre, apo për punonjësit e përkohshëm për zgjedhjet qendrore të vitit 2025.
Komisioni Rregullator duhet të miratojë edhe mekanizmat sa i takon mënyrës sesi do të votojnë emigrantët, ndonëse Kodi Zgjedhor ka specifikuar se votimi do të bëhet nëpërmjet shërbimit postar.
KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së nëpërmjet shërbimit postar me shpenzime te zgjedhësit.