Politikë

Vizita zyrtare në Francë/ Rama pritet me nderime ushtarake në Oborrin e Nderit të 'Les Invalides'

Këtë të premte, kreu i qeverisë shqiptare u prit me nderime të larta ushtarake në “Les Invalides”, në Paris, një kompleks i mirënjohur muzeal dhe monumentesh, të lidhura me historinë ushtarake e Francës.

E.K
Vizita zyrtare në Francë/ Rama pritet me nderime ushtarake në
Edi Rama gjatë ceremonisë

PARIS- Kryeministri Edi Rama është në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Francë, ku pritet të takohet me Presidentin francez Emmanuel Macron. Këtë të premte, kreu i qeverisë shqiptare u prit me nderime të larta ushtarake në “Les Invalides”, në Paris, një kompleks i mirënjohur muzeal dhe monumentesh, të lidhura me historinë ushtarake e Francës. Rama, i cili shoqërohet dhe nga bashkëshortja e tij Linda, u prit në portën kryesore të “Les Invalides”, nga Ministri për Europën Jean-Noël Barrot dhe nga Guvernatori Ushtarak i Parisit, Gjeneral korparmate Christophe Abad. Siç mund të shihet nga pamjet e shpërndara nga Kryeministri, tri toga të Gardës kryen nderime ushtarake ndërsa Rama parakalonte  i shoqëruar nga Komandanti i trupës së Gardës Republikane.

Në orën 14.45, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Francez Macron do të zhvillojnë një takim kokë më kokë mes tyre. Axhenda do të vijojë në orën 16.00 me vizitën dhe takimet në STATION F, inkubatori më i madh në botë i startup-eve dhe inovacionit, si dhe me mbledhjen inauguruese të Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri –CIFA, ku do të marrë pjesë edhe Sekretarja franceze e Shtetit për Industrinë Numerike, përfaqësues të ministrive franceze të Jashtme dhe të Ekonomisë, si edhe operatorë të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit.

Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, si dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni./ZËRI

Poll

MOS HUMB