
TIRANË- Vetingu i politikanëve është shndërruar në kalin e betejës së Lulzim Bashës, të cilën e ka një prej tezave më të preferuara të tij, sa herë që afrojnë zgjedhjet, ose pas tyre, kur kërkon që të gjejë alibi për humbjen. Por a e ka seriozisht? A ia del Lulzim Basha që të fitojë mandate dhe kryebashkiakë, pa pjesëmarrjen në to të personave që lidhen me botën e krimit, apo personazhe të akuzuar për vepra penale?
Zgjedhjet e fundit na tregojnë se jo.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2022, që u mbajtën pjesërisht në 6 Bashki, Lulzim Basha do të garonte me Ymer Markun, një personazh i njohur për lidhjet me krimin, të cilit së fundi me urdhër të SPAK i janë sekuestruar një sërë pasurish. Marku kandidoi nën siglën e PD-së në vitin 2022, ndërkohë që vetë Lulzim Basha do të shfaqej krah tij për të kërkuar vota.
Pavarësisht se humbi thellë, ku mori vetëm 6% të votave përballë kandidatit socialist Blerim Shera që siguroi 69.9 përqind të votave, dhe Lulzim Vranës nga Shtëpia e Lirisë që siguroi 24.3 të votave, Lulzim Basha do të rikandidonte Markun një vit më vonë, teksa mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme lokale. Megjithëse ky i fundit do të tërhiqej pak ditë përpara zgjedhjeve, duke mbështetur më pas kandidatin e Rithemelimit Indrit Hoxha.
ZËRI e sjell rastin e Markut, për të kuptuar se sa seriozisht e ka një pjesë e politikës kur ndërmerr iniciativa të caktuara, siç është dhe rasti i Lulzim Bashës. Mjafton që kryedemokrati i vulës, të bënte një kërkim në internet, për të kuptuar se kandidati i tij që propozonte për Vorën, mund të ishte fare mirë në listën e politikanëve që duhet t’i nënshtroheshin filtave të Vetingut.
Ymer Marku ka mbajtur më herët postin e kryetarit të Komunës Bërxullë, ku sipas ILDKP-së, nuk ka arritur të justifikojë burimin e krijimit të pasurive së tij.
Sipas këtij institucioni janë pesë objekte pasurore që nuk janë deklaruar saktë nga Marku dhe që kapin vlerën e 22 milionë e 656 mijë lekëve.
Pasuritë e padeklaruara saktë të Markut, sipas ILDKP-së, janë një Bar-Restorant në Domje që kapte një vlerë prej mbi 12 milionë lekësh por ishte deklaruar mbi 7 milionë lekë më pak, një automjet të deklaruar mbi 800 000 lekë më pak se sa vlera reale që kishte dhe disa depozita bankare.
LISTA E PASURIVE TË PAJUSTIFIKUARA TË MARKUT
-Bar-Restorant Domje, vlera e deklaruar nga subjekti është 5.000.000 leke të reja. Nga Raportit të Vlerësimit të datës 03.02.2010 të ekspertit vlerërues, rezulton se prona objekt shqyrtimi është vlerësuar në shumën 12.591.000 lekë të reja. Pra, është deklaruar 7.591.000 lekë të reja më pak.
-Autoveturë deklaruar 1.500.000 lekë të reja. Nga hetimi administrativ ka rezultuar që ky automjet është blerë në shumën 19.375 euro ose e vlerësuar me kursin e Bankës së Shqipërisë, në shumën 2.359.488 lekë. Pra, është deklaruar 859.788 lekë më pak.
-Depozita bankare dhe llogari rrjedhëse në Tirana Bank, në shumat në total 11.340 euro.
-Depozitë afatshkurtër në vitin 2006 shuma 71.700 euro, (derdhur dhe tërhequr brenda vitit).
-Depozitë afatshkurtër në vitin 2007, në llogarinë në lekë shuma prej 4.500.000 lekë të reja (derdhur dhe tërhequr brenda vitit).
Pikërisht këto prona janë vënë nën sekuestro nga SPAK, ndërsa hetimet vijojnë.
/ZËRI