
TIRANË-Qeveria do të japë kredi me interes zero për 530 punonjës të administratës gjatë këtij viti. është zbardhur në fletoren zyrtare vendimi, i cili shpërndan kuotat sipas kategorive përfituese. Bazuar në vendimin e bërë publik në faqen zyrtare në të cilin janë përcaktuar kuotat totale, përfituesit u përkasin 12 institucioneve shtetërore. Në Fletoren Zyrtare ku është botuar vendimi i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit “Për miratimin e kuotave të përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të të punësuarve përfitues në administratën publike, për vitin 2025” zbulohen dhe kriteret dhe punonjësit e cilëve institucione mund të marrin kredi.
“Punonjësit e administratës publike të përzgjedhur përfitojnë kredi të lehtësuar me interes 0%. Kuotat e përgjithshme të kredive të lehtësuara për nëpunësit civilë dhe nëpunësit e tjerë të administratës publike, për vitin 2025, janë, gjithsej 530, të ndara si më poshtë:
a) 90 kuota, Ministria e Brendshme; b) 90 kuota, Ministria e Arsimit dhe Sportit; c) 80 kuota, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për mjekë dhe infermierë;
ç) 30 kuota, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; d) 30 kuota, Ministria e Mbrojtjes; dh) 30 kuota, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
e) 30 kuota, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë; ë) 30 kuota, Ministria e Drejtësisë; f) 30 kuota, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme;
g) 30 kuota, Ministria e Financave; gj) 30 kuota, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit; h) 30 kuota, Kryeministria."
KUSHTET:
Punonjësit e administratës publike që do të përfitojnë kredi të lehtësuar me interes 0% do të përzgjidhen nëpërmjet sistemit të pikëzimit.
Në sistemin e pikëzimit përcaktohet se për t’u trajtuar me kredi të butë do të jenë ata punonjës që nuk disponojnë banesë në pronësi; banon në një banesë të mbipopulluar, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi; punonjës që ka humbur banesën, si pasojë e zhvendosjes ose e zbatimit të një vendimi gjyqësor; punonjës që banon në banesë që do të prishet, pasi përjashtohet nga procesi i legalizimit, si rezultat i investimeve publike, si dhe nuk përfiton një banesë tjetër.
Ndërsa kushtet sociale përfshijnë punonjësit, të cilët kanë jo më pak se dy vjet të punësuar në administratën publike, në momentin e aplikimit dhe punonjësit, të cilët kanë jo më pak se shtatë vjet të punësuar në administratën publike, në momentin e aplikimit.
Punonjësit të cilët nuk kanë shtëpi apo ata që jetojnë në banesa të mbipopulluara përfitojnë automatikisht 50 për qind të pikëve. Gjysma tjetër e pikëve përcaktohet nga vjetërsia në punën e shtetit dhe kushtet ekonomike të punonjësit, të cilat kanë nga 25 pikë secila.