
TIRANË-Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se dëshmitarët e thirrur për të dëshmuar gjatë procesit hetimor ndaj kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj janë kërcënuar. Rama u shpreh i bindur se njerëz të artit janë intimiduar për të dëshmuar para drejtësisë, dhe për këtë, ai thotë se ka takuar personalisht disa prej tyre. Madje, një artist i njohur pretendon Rama, ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe për këtë, kryeministri tha se “i ka ardhur turp” që ndihet i pafuqishëm ndaj këtij rasti.
Edi Rama: Janë intimiduar njerëz, i kam takuar unë, kam folur unë me ta. Dhe pse, pa asnjë lidhje me Erionin! Për shkak se janë njerëz me lidhje në botën e artit, dikush më ka thënë se një artist është në gjendje të rënduar psikologjike, e njoh kur është, një personalitet. E kam kërkuar, nuk kishte telefon, ia kishin marrë telefonin. E kam marrë me telefonin e gruas dhe kam dëgjuar një grua që vetëm qante. Jam takuar me të, më ka ardhur turp mua kur kam menduar që sot jam kryeministër dhe ndjehem i pafuqishëm karshi një rasti dhe personi që më ka kujtuar veten time. Unë pak më i praptë se ai se nuk u shokova kur me morën dhe më çuan te Myslym Keta te Brraka. Jo po këtu jo po familja jo po nderi, ma thoni dot mua? Nuk figuron ai nuk ka lidhje fare. Si mund të merret në rrugë një baba që po çon fëmijën në kopsht me karrocë, hajde me ne. Ku jemi këtu ne? Dhe e kam marrë me telefonin e gruas. Dhe kam dëgjuar nga ana tjetër e telefonit një grua që vetëm qante. Dhe pastaj jam takuar me personin. Po ju them që mua personalisht më ka ardhur turp, mua, kur kam menduar që sot unë jam kryeministër dhe ndjehem i pafuqishëm karshi një rasti, karshi një personi që më ka kujtuar veten time. Unë pak më i prapë se ai se nuk u shokova psikologjikisht kur më morën atëherë dhe më çuan këtu tek “Braka” dhe jo po këtu, jo po aty, jo po familja, jo po nderi. Ndërkohë që ma thoni dot ju mua një person. Nuk figuron ai prandaj po flas se po të ishte në emrat nuk do ta përmendja, nuk figuron fare, s’ka lidhje, nuk figuron fare, është një person nuk e di që për çfarë është thirrur madje, për arsye të aktiviteteve kulturore. Si mund të merret një prind me fëmijën 3 vjeç me karrocë në rrugë dhe t’i thuhet: hajde me ne. Si mund t’i tregohet dikujt nga dritarja: e shikon atë godinën atje. E di çfarë është ajo?. Nga ta dijë ai, është profesor, njeri i artit, njeri që ka nderuar Shqipërinë? Nga ta dijë ai? I thuhet: është burgu ai, atje mund të përfundosh dhe mendo për djalin tre vjeç.
Kryebashkiaku Erion Veliaj do të njihet sot në GJKKO me masën e sigurisë. Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI