TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar në lidhje me aksidentin tragjik të vdekjes së dy motrave nga Delvina, duke e cilësuar një vrasje me dashje. Përmes një postimi prekës për dy motrat që humbën jetën në lule të rinisë, Braçe kërkon menjëherë ndryshimin e dy ligjeve në Kodin Rrugor dhe Kodin Penal, pasi shoferi që përplasi me vdekje dy motrat rezultoi i dehur dhe kjo sipas tij është një vrasje dhe jo aksident rrugor. Për këto raste, Braçe thekson se nevojitet ndryshimi i ligjit dhe ashpërsimi i tij.
Postimi i Erion Braçes:
Dy vajza të reja fare u përcollën dje në banesën e fundit.
Nuk e imagjinoj dot dhimbjen e nënës së tyre, babait të tyre, gjithkujt që i njohu e ndau jetën e shkurtër me to! Është e tmerrshme, nuk ka ngushëllim, fare!
Kam prej mëngjesit të djeshem që dëgjoj:
Aksident, aksident rrugor!
Jooooo! Nuk është aksident!
Të dehesh, të marrësh makinën, të dalësh me të në rrugë, të ecësh me shpejtësi përtej normës, të hysh në parakalim të gabuar dhe t’i shkosh tjetrit përballë në korsinë e tij, nuk është aksident, as aksident me pasojë vdekjen!
Është vrasjeeee me pasojë vdekjen e dy vajzave të reja dhe plagosjen e një të trete.
Kodi ynë Rrugor e Kodi ynë Penal nuk e njeh këtë nocion, ndërkohë në rrugë ndodh si vrasje me dshje madje!
Duhet të ndryshojmë dy ligjet sa më parë;
Dëgjoja dje arrestohet shoferi, ishte i dehur, ishte me shpejtësi, hyri në parakalim të gabuar;
Ja u arrestua, po pastaj? Do hetohet e gjykohet për aksident me pasojë vdekjen? Nuk është i tillë!
E dyta, dëgjova po dje se autori është punonjës i Ministrisë së Brendshme; Nuk e di në qëndron kjo apo jo.
Por një ligj i ri për përgjegjësitë përtej punës që bëjnë për punonjësit e shtetit duhet të hartohet sa më parë, tani! Doemos këta duhet të kenë përgjegjësi publike, më shumë se çdo qytetar i zakonshëm.
Dëgjoj shpesh, përdori armën e shërbimit e vrau gruan, sulmoi komshiun, kërcënoi një tjetër në lokal, ndërtoi pa leje, shkeli ligjin dhe në fund, ishte punonjës i shtetit.
Kjo nuk duhet të ndodhë më!
Me ligj çdo punonjësi shteti duhet t’i ngarkohet përgjegjësi e t’i kufizohen akte që kanë në thelb paligjshmërinë duke përdorur fuqinë e të qenit në një zyrë shteti!”
Aksidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e së dielës në aksin rrugor Sarandë-Delvinë. 23-vjeçari, Kevin Nora që shkaktoi aksidentin tragjik është arrestuar. Nora po udhëtonte me një mjet tip "Audi", i cili në gjendje të dehur dhe me shpejtësi skëterr ka kryer manovrën e parakalimit të gabuar duke u përplasur kokë më kokë me mjetin tip "Lancia" ku udhëtonin dy motrat dhe shoqja e tyre. Përplasja ka rezultuar fatale për dy motrat Rozina dhe Elvisa Dhimaku, të cilat humbën jetën në vendngjarje, ndërsa shoqja e tyre Antonela Zhupa, ka mbetur e plagosur jashtë rrezikut për jetën. Në familje është hapur dera e mortit, ndërsa lajmi ka shokuar opinionin publik./ZËRI