
TIRANË- Vazhdon debati tek Komisioni i Ekonomisë për skandalin në spitalin Onkologjik. Në mbledhjen e sotme, kreu i Komisionit, deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Shalsi kërkoi të dinte nëse Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte bërë një kallëzim penal lidhur me gjetjet në spitalin Onkologjik, por përgjigja "po", duket se nuk ishte mjaftueshëm. Shalsi dhe socialistët e tjerë kërkuan të dinin datën e kallëzimit, të cilën kreu i KLSH, Arben Shehu u shpreh se nuk e kishte në shkresat që kishte me vete. Teksa debatonin, në një moment, Shehu u shpreh se po ndjehej i vendosur "me shpatulla pas murit". Megjithatë sqaroi se kallëzimi penal ishte bërë, së bashku me dy institucione të tjera. Por datë konkrete nuk dha gjatë fjalës së tij në Komision.
DEBATI- Kallëzimi penal në rastin tek Onkologjiku
Kreu i KLSH: Në radhë të parë raporti i është vendosur në dispozicion Kuvendit në vitin 2022. Kemi pasur një kallëzim penal por nuk e kemi bërë publik sipas vlerësimit tonë. Ne jemi institucion auditiues, nuk jemi institucion penal. Datën nuk mund ta jap tani...por kallëzimi është bërë. Është bërë kallëzim i lidhur me dy institucione të tjera.
Shalsi: Na duhet një datë, tani do i jap fjalën kolegëve për procedurë.
Kreu i KLSH: Ju shprehet shqetësimin lidhur me situatën që trajtuam dje. Momentalisht kemi situata me një rendësi shumë të veçantë që me logjikën tuaj nuk mund t'i trajtojmë këtu. Por duhen marrë masa të menjëherëshme. Qëllimi i përgjithshëm nuk do të ishte vendosja e një institucioni me shpatulla pas murit, por suporti për të kryer detyrimet e përbashkëta. Ne jemi të gatshëm që të kryejmë çdo vendimmarrje tuajën.
Shalsi: Asnjë gjë e keqe nuk i vjen institucionit nga transparenca. Asgjë e keqe nuk i vjen nga pyetjet dhe nuk është shpatullat për muri të pyesësh kur është bërë kallëzimi penale. Do të doja të ndjeheni të çliruar, nëse jeni të përfshirë emocionalisht e ndërpresim seancën.
Braçe: Duhet të kuptojmë se kjo është një seancë e kontrollit të lartë të shtetit. Nuk jemi në protagonistë, protagonist është KLSH. Duhet ta dëgjojmë, ta pyesim dhe të japim vlerësimet tona. Prandaj ka edhe një rezolutë në fund të këtij procesi. Siç u tha këtu disa herë, KLSH është institucion i pavarur dhe nuk ka pse të bëhet pjesë e kacafytjes. Nuk mora vesh dje mbaroi apo jo raportimi? Unë dua përgjigje për të gjitha pyetjet që bëra, i dua drejtpërdrejt pyetjet e mia. Ka pyetje për 2 ditë, ok. Le të vazhdojmë deri në fund me këtë procedurë./ZËRI