
TIRANË- Nga salla e Kuvendit të Shqipërisë, kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka shtrirë dorën për bashkëpunim me opozitën. Në fjalën e saj, Spiropali i është drejtuar deputetëve të opozitës duke u thënë se duhet të gjejnë një mënyrë që ata të jenë në sallën e Kuvendit dhe të ndalojnë përplasjet që janë kthyer në "ritual" tashmë që prej shtatorit.
"Ne jemi të gatshëm të ulemi në çdo kohë, ama të ulemi në karriget që na kanë zgjedhur qytetarët, jo ti djegim. Për zjarrin që vënë të tjerë ju më mirë se kushdo e dini se kush është autor dhe arsyet, por duke mos i hyrë problemeve të brendshme tuajat, për të cilat edhe ju jeni bashkëvuajtës si ne të gjithë. Po ju them edhe njëherë se jemi të gatshëm të ulemi të gjithë edhe në konferencën e kryetarëve dhe në byro për të bërë të mundur që deputetët e nderuar të opozitës të gjejnë një mënyrë dinjitoze për tu kthyer sërish në kuvend siç e gjetëm në janar.
E kuptoj që është e vështirë, por nuk mund të vijojmë në mënyrë ciklike të përsërisim situata të tilla krejtësisht artificiale, që nuk burojnë nga problemet e parlamentarizmit të kësaj salle, por burojnë nga problemet e thella që kanë partitë politike,"-tha Spiropali në fjalën e saj.
Ndërkohë përgjigjen e ka marrë shumë shpejt nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Në përgjigjen e tij, ky i fundit e ka akuzuar edhe njëherë Spiropalin si "zëdhënëse" të biznesmenit të arrestuar nga SPAK, Pëllumb Gjokës.
"Kush e kishte bërë këtë? Pëllumb Gjoka? S’kam qenë në burgun e Fierit që ta takoj, i paska transmetuar një mesazh zonjës, me Pëllumb Gjokën dhe zëdhënësit e tij nuk komunikojmë, ne jemi përballë krimit të organizuar, ata janë palë me ta,"- tha Bardhi.
Ky është propozimi i parë për "bashkëpunim" që kur opozita ka nisur aksionin e mosbindjes civile. Demokratët kërkojnë qeveri teknike dhe zgjedhje pa Edi Ramën si kryeministër. Sipas tyre, këto kushte do të lejojnë që vendi të ketë zgjedhje të lira./ZËRI