
GREQI- Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka telefonuar këtë pasdite Fredi Belerin, i cili u zgjodh deputeti i Parlamentit Evropian në Greqi, në një kohë kur ndodhet në burg në Shqipëri për blerje votash. Sipas mediave greke, Mitsotakis e ka përgëzuar Belerin për fitoren. Pas bisedës me kryeministrin grek edhe Beleri ka bërë regaimin e tij të parë si deputet i zgjedhur në Parlamentin Europian të Demokracisë së Re.
Reagimi i plotë i Fredi Belerit:
Fillimisht dua të falënderoj Kryeministrin, Kyriakos Mitsotakis, për mbështetjen e tij në luftën time për të drejtat e helenizmit të kontinentit verior dhe mundësinë që më dha për të qenë kandidat në zgjedhjet europiane. Unë dhe familja ime nuk do ta harrojmë kurrë atë që ai bëri për ne. Gjatë gjithë këtyre muajve të aventurës sime, u forcua besimi im se drita fiton gjithmonë mbi errësirën. Dhe se pushteti i Republikës mund të fshijë çdo grusht shteti. Ne luftuam dhe fituam një betejë për Demokracinë, shtetin ligjor, liritë dhe dinjitetin e qytetarëve. Dua të falënderoj secilin prej jush që më nderuat me votën tuaj. Familja ime që u bë mbështetja dhe zëri im gjatë kësaj periudhe. Miqtë në të gjithë Greqinë që më qëndruan në krah në provën më të vështirë të jetës sime. Një mori mbështetjeje dhe vullnetarësh që shkruan historinë duke luftuar për një kauzë të shenjtë: lirinë dhe krenarinë e helenizmit.
Vëllezërit e mi nga minoriteti etnik grek, dua t'u them se nga sot ne mund të ndihemi më të fortë. Dhe për çdo bashkëqytetar, se si eurodeputet do të punoj shumë që të jem i dobishëm për fraksionin tim, Demokracinë e Re dhe mbi të gjitha për Atdheun tonë. Në fund, dua të shpreh një falënderim të veçantë nga zemra për dy njerëz të veçantë, Angelos Syrigos dhe Stavros Papastavrou, të cilët për 395 ditët që kam qenë në burg, kanë qenë gjithmonë pranë meje dhe pranë familjes sime.
Partia Demokracia e re e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, ka kryesuar në zgjedhjet europiane të së dielës, duke siguruar që të fitojë 7 nga 21 ulëset që i takojnë në parlamentin europian Athinës zyrtare. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg ka marrë 235 mijë vota duke u renditur i katërti mes 7 deputetëve që kanë dalë nga partia Demokracia e Re e kryeministrit grek Mitsotakis.
Ndërkohë që jashtë listës së eurodeputetëve mbetet Pirro Dhima, kampioni që mohoi origjinën shqiptare, dhe prej vitësh ka përfaqësuar Shqipërinë. Dhima u rendit i teti në garë, duke qenë shumë pranë marrjes së një mandate si eurodeputet. Pas zgjedhjes së Belerit, shumë pikëpyetje mbeten nëse ai do ta gëzojë mandatin, sa kohë që është i dënuar nga shkalla e parë në Shqipëri. Në Himarë nisi festa mbrëmjen e djeshme, ndërkohë që vetë Beleri në një reagim nga burg, tha se fitorja e tij ishte ajo e dritës mbi errësirën./ZËRI