
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka folur pas seancës së sotme në Kuvend, ku vetë ai nuk ishte i pranishëm, për shkak të përjashtimit me 10 ditë nga Komisioni i Etikës. Bardhi e cilësoi të paligjshëm përjashtimin e tyre, ndërkohë që i bëri thirrje kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla që të rishikojë pozicionin e saj.
“Pavarësisht se me një urdhër të paligjshëm deputetët e opozitës nuk u lejuan në sallë, edhe pse nuk kanë kryer asnjë shkelje të rregullores si një tentativë për të formalizuar përjashtimin de facto të opozitës.
Grupi i PD vijoi aksionin për t’i shpjeguar shqiptarëve që ky nuk është kuvend normal, sa kohë opozitës i mohohen të drejtat nuk mund të ketë një falsitet në Kuvend sa kohë shkelet rregullorja dhe Kushtetuese. Apeloj mazhorancën, Nikollën që të rishohë pozicionin e saj së pari sa i përket kërkesave të opozitës dhe të heqë dorën nga masat që tentojnë të shtypin opozitën, përmes përjashtimit të deputetëve”, tha Bardhi.
Ai nuk përjashton as grevën e urisë, apo ngujimin, një tezë kjo që përflitet prej muajsh brenda radhëve të opozitës, por që ende nuk është realizuar.
“Kemi diskutuar në mbledhjen e grupit opsionet e mundshme të aksionit. Secili ka shprehu gatishmërinë për të shkuar më tej me përsshkallëzimin, përfshirë ngujimin apo grevën e urisë”, u shpreh më tej Bardhi.
Seanca e sotme plenare u mbyll pas rreth 20 minutash, ndërkohë që deputetët e Rithemelimit qëndruan në oborr, ku hodhën vezë në drejtim të makinës së ministrit të Brendshëm Taulant Balla, si dhe sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj. /ZËRI