
TIRANË- Pasi ishte zhdukur për muaj me radhë nga rrjetet sociale, fill pas largimit nga qeveria në muajin Shtator, Olta Xhaçka ka reflektuar nga kritikat që i bëri kryesocialisti Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare që u mbajt në datën 11 Shkurt. Rama kishte kritikuar Xhaçkën për mungesën e saj në rrjetet sociale, një formë kjo e mosmbështetjes ndaj aktiviteteve të Partisë Socialiste. Dhe reflektimi erdhi…
Në shenjë ironie apo bindje, këtë mbetet që ta sqarojë vetë zonja Xhaçka, ish-ministrja postoi në rrjetet e saj sociale disa foto nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, të cilat do ti shoqëronte me një buzëqeshje, dhe me mbishkrimin ‘ja ku jemi’. Si për të provuar në këtë mënyrë kritikat që i ishin bërë në mbledhjen me dyer të mbyllura. Olta Xhaçka ka qenë një prej grave socialiste më të promovuara nga kryeministri Edi Rama, duke mbajtur poste të rëndësishme në qeveri, qoftë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, qoftë në krye të politikës së jashtme.

Por megjithatë së fundi hije skandali rëndojnë mbi ish-ministren, mandati i të cilës është vënë në pikëpyetje, pasi ajo akuzohet për konflikt interesi. Bashkëshorti i saj Artan Gaçi, dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme prona në bregdetin e jugut, dhe për më tepër i është dhënë statusi i investitorit strategjik nga qeveria, në një kohë që pjesë e kabinetit ishte dhe vetë Xhaçka.
Prej më shumë se 13 muajsh, Kuvendi nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka kërkuar dokkumentacion shtesë, dhe rikthimin e shqyrtimit të rastit në Xhaçkës në Këshillin e Mandateve. Megjithatë e rëndësishme është që zonja Xhaçka po përmbush detyrimet dhe kritikat që i janë bërë nga partia, pavarësisht se interaktiviteti në profilin e saj lë shumë për të dëshiruar./ZËRI