
TIRANË- Në një konferencë me gazetarët, kryeministri Edi Rama ka deklaruar në mënyrë të prerë se nuk do të negociojë me asnjë person të shpallur non grata, duke nënkuptuar Sali Berishën dhe Gazment Bardhin. Nga ana tjetër, Rama nxiti prokurorinë që të hetojë rastet e tymueseve e në një rast dhe vendosjes së zjarrit në Kuvend.
“Ne nuk negociojmë me non grata dhe me asnjë zëdhënës të non gratave. Këtë e kemi thënë që ditën e parë dhe kjo nuk është një gjë e re. Non grata dhe zëdhënësit e tij që për halle personale kanë marrë përsipër të kthejnë Kuvendin në përshesh, dhe flaka në parlamentin shqiptar merr dhenë, a thua se kjo sjell gjë tjetër veç shkarravitjes së imazhit të Shqipërisë, janë në të drejtën e tyre të bëjnë zgjedhjet e tyre.
Parlamenti ka rregullat dhe kufizimet e veta. Në kushtet kur rregullorja e Kuvendin ka përjashtimin për 10 ditë, edhe për një zjarrvënës, ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim që drejtësia të bëjë drejtësi, për ata që pengojnë të tjerët të bëjnë detyrën”, tha Rama.
Prej javësh opozita në Kuvend është duke protestuar, edhe duke bllokuar seancat plenare, ndërkohë që nga SPAK po hetohet përplasja fizike mes dy deputetëve Vullnet Sinaj dhe Bledion Nallbati, ndërkohë që në seancën e të hënës, pati dhe një zjarr në Kuvend. Në këtë pikë Rama kërkon ndërhyjen e drejtësisë, pasi rregullorja e Kuvendit parashikon vetëm një përjashtim 10 ditor si maksimumin e ndëshkimit për deputetët.
/Zëri.ai