Politikë

'Tjetër të thonë në sy, tjetër të bëjnë pas kurrizit'/ Rama: Kam njohur edhe vetë të tillë, më janë ngjitur

Rama tha se ka njohur shumë të paudhë që tjetër i thonin në sy, e tjetër bënin pas shpine.

k.m.

'Tjetër të thonë në sy, tjetër të

TIRANË-Në Kongresin e PS, kryeministri Edi Rama dha edhe një mesazh që dukej se shigjetonte ish-bashkëpunëtorët e tij. Rama tha se ka njohur shumë të paudhë që tjetër i thonin në sy, e tjetër bënin pas shpine.

Edi Rama: Nëse nuk vini për të votuar këtu, dërgojeni me postë votën tuaj për të vendosur se kush duhet që të drejtojë punën në shtëpinë tonë të përbashkët. "Deputeti që duam" na ka shërbyer si bazë. Në ditët në vijim platforma është e përdorshme për të gjithë të interesuar. Do keni të gjithë kohën për të treguar aftësitë. Sistemi i korrigjuar në bazë të vendimit të GJK krijon më shumë konkurrencë. U jep grave dhe vajzave më shumë mundësi pavarësisht pozicionit në listë. Prandaj i them të mos ngurrojnë nëse diçka i nxit që të guxojnë. Mjafton të mos hapësh televizorin, të mos klikosh emra portalesh dhe ta shohësh Shqipërinë me sytë e lirë të mendjes tënde. Ta sjellësh vështrimin drejt të tashmes dhe të imagjinosh Shqipërinë e nesërme dhe do kuptosh se asgjë nuk është njësoj si dje. Po të ishin të gjithë njësoj edhe Shqipëria do të ishte njësoj. Por Shqipëria është ndryshe se edhe ne jemi ndryshe. Mjafton ta bësh këtë ushtrim dhe jo vetëm ta kuptosh këtë që thashë, por kupton sa më shumë mund të ndryshojë Shqipëria. Nuk ka asnjë derë tjetër që bën punë. Pazari i politikës ka plot dyqane, por PS e ka një mundësi reale. Jo se PS është pa probleme, nuk e them dot, kemi plot probleme dhe ne. Jo se në PS nuk ka njerëz që tjetër të thonë në sy, tjetër të bëjnë pas kurrizit. Kam njohur edhe vetë të tjerë të paudhë, madje aq të paudhë sa cilido do të habitej po tregoja se çfarë më thoshin në sy, e çfarë më bënin pas shpine. Dhe kur kanë arritur të ngjiten, e të më ngjiten edhe mua këtu...ku sidoqoftë është lart merre me mend sa nga këta ka më poshtë. Deri aty ku këta njerëz duhet të nisin rrugën. Por siç them këto, them: Besojeni! PS është e vetmja rrugë për ju!

PJESË NGA FJALA E PLOTË E RAMËS:

Sot nga kjo foltore e socialistëve dhe e progresistëve të Shqipërisë dua t’ju them të gjithë shqiptarëve që duam ta çojnë Shqipërinë bashkë me mua dhe PS në majën sfiduese të 2030, shqiptarëve që duan të japin dorën e tyre për ta ngritur në oborrin e Shteteve të Bashkuara të Europës në Bruksel flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në fund të këtij 10 vjeçari. Shqiptarët që e duan Shqipërinë kampione me nam të rajonit në turizëm, prodhuese të gjelbër dhe eksportuese neto të energjisë, pikë referimi në gjithë rajonin për rritjen e pandërprerë ekonomike dhe sociale, shqiptarëve që e duan Shqipërinë Europën e Ballkanit në kuptimin e plotë të fjalës: merrni iniciativën, hidheni hapin tuaj, kërkojini PS që ta vlerësojë mundësinë e kandidimit tuaj për deputet dhe deputete të legjislaturës së ardhshme së Kuvendit të Shqipërisë. Mandati ynë i katërt do jetë mandati pathyeshmërisë së sigurtë të progresit te pandalshëm, mandati i mbledhjes së shumë fryteve të tjera të punës së gjatë e të vështirë të këtyre viteve në drejtimin e Shqipërisë. Mandati i një pune të jashtëzakonshme për nga volumi dhe nga sfidat për ta kapërcyer kthesën e madhe historike që nisëm një dekadë më parë dhe për ta mbyllur me sukses procesin e negociatave të anëtarësimit në BE

Kuvendit të ri nuk do i mjaftojë vetëm përvoja e domosdoshme e deputetëve me vjetërsi, e deputetëve me ndërgjegje, e deputetëve me përgjegjshmëri në përfaqësimin e PS por do t’i duhen dijet, do t’i duhen aftësitë do t’i duhet dëshira e të rinjve që do afrojmë me doemos, me doemos për sprovat e mëdha të mandatit të katërt dhe me të rinj e me të vjetër nuk kam parasysh moshën në regjistrin e gjendjes civile, por njerëz të rinj., figura të reja publike, me eksperienca të ndryshme pune, me energji, me ambicie, me vullnet për Shqipërinë pavarësisht moshës, pavarësisht gjinisë, pavarësisht vendndodhjes, pavarësisht mbiemrit, pavarësisht pasurisë. Kjo vlen për të rinjtë e të rejat, për burrat e gratë e çdo krahine, qyteti apo fshati, në sektorin publik apo në sektorin privat, në botën universitare apo atë të sipërmarrjes, me banim në Shqipëri apo dhe jashtë Shqipërisë dhe më vjen shumë mirë sot që kur bëhet fjalë për shqiptarët jashtë vendit, kjo thirrje e hapur për të gjithë për tu bërë pjesë e skuadrës sonë kombëtare e cila do të luajë për ti fituar që të gjitha garat në të 12-të qarqet e Shqipërisë, bëhet edhe nga pozita e një tjetër zotimi të mbajtur të Partisë Socialiste. Për herë të parë, shqiptarët jashtë kufijve do të mund të votojnë nga vendi ku jetojnë dhe ku punojnë, falë vulosjes së kësaj të drejte në Kodin zgjedhor të miratuar nga parlamenti pak ditë më parë.

I përshëndes delegatët e ardhur ngas jashtë. Në radhë të parë ata nga Greqia që besnikërisht, besnikërisht prej vitesh janë këtu të pranishëm në çdo Kongres të Partisë Socialiste dhe u them që sot, më në fund, ndjehem mirë përpara jush dhe përmes jush përcjell ndjenjën time të respektit dhe mirënjohjes më të thellë atyre mijëra shqiptarëve në Greqi dhe në Itali të cilët më dhuruan një energji të jashtëzakonshme, një energji të atillë që të bën të duket çdo mal i kapërcyeshëm dhe çdo horizont i arritshëm. Shumë faleminderit.

Shqiptarët e Europës dhe më gjerë janë kontributorë të mëdhenj në ekonominë kombëtare prej 30 e kusur vitesh dhe me ligj e me zakon duhet që prej kohësh ta gëzonin e ta ushtronin, sipas dëshirës, të drejtën e zgjedhjes për rrugën dhe për udhëheqjen e Shqipërisë. Fatkeqësisht, pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve tona të vazhdueshme, sanksionimi i kësaj të drejtë në ligjin e zgjedhjeve mori një kohë të gjatë, në mungesë të votave të nevojshme për konsensusin politik që ai ligj kërkon por kurrë nuk është vonë për të vënë në vend një të drejtë dhe shqiptarëve të Greqisë, Italisë, Europës dhe Amerikës u them sot i lehtësuar “Bujrum. Shqipëria është shtëpia juaj jo vetëm për të ndihmuar por edhe për të votuar dhe nëse nuk vini për të votuar këtu, dërgojeni votën tuaj me postë për të vendosur së bashku si një familje e madhe se kush dhe si duhet t’i drejtojë dhe t’i ndjekë punët e shtëpisë sonë të përbashkët të atdheut tonë”.

Eksperienca e parë e platformës digjitale “Deputeti që Duam” e cila u bë publike nga Partia Socialiste si një ftesë e hapur përpara zgjedhjeve të shkuara na ka shërbyer si bazë për zhvillimin e platformës së re që Bora sapo prezantoi. Në ditët në vijim, platforma është e përdorshme për të gjithë të interesuarit. E gjithë kjo periudhë kohe përpara shpalljes së formacionit kombëtar të deputetëve të mandatit të katërt, në prag të zgjedhjeve të ardhshme do të shërbejë për tu dhënë aplikantëve mundësinë të organizojnë aktivitetin e tyre pranë strukturave të partisë ose jo. Ata do të kenë të gjithë kohën për të treguar aftësitë e tyre duke komunikuar, duke krijuar mbështetje, ndërtuar profilin e nevojshëm konkurrues në komunitetet dhe grupet përkatëse si dhe në rrjetet sociale, natyrisht.

Sistemi i korrigjuar, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, krijon dhe më shumë konkurrencë dhe u jep grave e vajzave po ashtu, një hapësirë të plotë konkurrimi mes veti, pavarësisht pozicionit të tyre fillestar në listë. Prandaj, u them grave dhe vajzave të mos ngurrojnë nëse diçka këtu në kraharor i thërret dhe i nxit që të guxojnë. Mosbesimi, skepticizmi, cinizmi për këtë iniciativë novatore, e cila buron nga nevoja dhe nga vetëdija për peshën e jashtëzakonshme të sprovave të një shumice qeverisëse si e jona nuk janë këshilltarë të mirë.

Fatkeqësisht, këta këshilltarë të këqij, frenues dhe denigrues të dëshirës për tu angazhuar në politikë i gjen kudo, mjafton të hapësh gojën dhe ta thuash dëshirën dhe i ke në fyt. Mjafton të hapësh televizorin dhe të ndjekësh një debat politik dhe i ke këtu në stomak, mjafton të hapësh një portal dhe i ke nëpër trup si një lukuni insektesh që të pickojnë, helmojnë gjakun duke ta bërë politikën një skëterrë ku ka vetëm kafshëri, babëzi dhe batërdi dhe ku të gjithë janë njësoj, dreqër me brirë por mjafton, po ashtu, të mos e ndash me ta dëshirën tënde për tu angazhuar, të mos e hapësh televizionin për të parë debate politike, të mos klikosh në ekranin e celularit emra portalesh dhe ta shohësh Shqipërinë me sytë e lirë të mendjes tënde, ta hedhësh vështrimin jo shumë larg, deri 10 vjet më parë dhe ta sjellësh atë vështrim drejt të tashmes për ta kthyer pastaj nga e ardhmja me fuqinë e imagjinatës tënde për Shqipërinë që do nesër dhe do kuptosh se asgjë, absolutisht asgjë, nuk është njësoj si dje dhe se nuk janë të gjithë njësoj absolutisht sepse po të ishin të gjithë njësoj, edhe Shqipëria do të ishte po njësoj, por sepse ne jemi ndryshe edhe Shqipëria është ndryshe dhe nëse Shqipëria nuk është aq ndryshe sa ne duam, atëherë jemi ne që duhet të ndryshojmë aq sa duhet.

Mjafton ta bësh këtë ushtrim dhe jo vetëm do ta kuptosh këtë që thashë por do kuptosh sesa shumë akoma mund të ndryshojë Shqipëria dhe mjafton ta kuptosh këtë për të mos e mbytur dëshirën tënde në lumin e cinizmit, skepticizmit, mosbesimit dhe për ta hedhur hapin e parë duke trokitur në derën e kësaj shtëpie të madhe, ku patjetër është pak por e sigurt, nuk do ta gjesh të shtruar por ku me besim tek vetja, me këmbëngulje dhe me durim do ta gjesh me siguri më herët a më vonë vendin që të takon.

Shikoje platformës “Deputeti që Duam” si një derë të re të Partisë Socialiste ku mund të trokasësh pa ndërmjetës, pa frikën se nuk të hapet apo se po tu hap të del ndonjë i shëndoshur dhe i përgjumur dhe të thotë “Çfarë do mo vëlla, ik ore vëlla, ahu, ik se kemi punë”. Regjistro emrin, shprehe dëshirën tënde dhe mos prit por fillo organizohu që të dalësh në pah, duke përdorur mjetet që sugjeron platforma dhe sigurisht që gjatë gjithë kohës ne do jemi në kontakt.

Unë nuk i siguroj dot ata të cilëve po u drejtohem se do bëhen deputetë sepse i takon secilit ë bindë njerëz, të bëjë ndjekës, të provojë se mund ta përfaqësojë denjësisht këtë parti duke sjellë vota për skuadrën tonë por unë i siguroj që nëse dikush ka dëshirë të angazhohet, të merret me politikë dhe të bëhet deri dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë që nga viti i ardhshëm apo të marrë të tjera përgjegjësi në nivele të ndryshme, siç ka ndodhur me platformën e 2021, nuk ka asnjë derë tjetër që bën punë, asnjë.

Pazari i politikës ka plot dyqane por Partia Socialiste është e vetmja derë ku kush do të hedhë një hap për tu angazhuar, e ka një mundësi reale, jo sepse Partia Socialiste është një shtëpi pa probleme, nuk e them dot, kemi plot probleme dhe ne, jo se në Partinë Socialiste nuk ka njerëz që tjetër thonë në sy dhe tjetër të bëjnë pas kurrizit, as këtë nuk e them dot. I kam njohur dhe vetë të tillë të paudhë, madje aq të paudhë sa cilido do të habitej po të tregoja se çfarë më thoshin në sy dhe se çfarë më bënin pas shpine dhe kur kanë arritur të ngjiten, po jo vetëm të ngjiten por edhe të më ngjiten edhe mua këtu ku sidoqoftë është lart, merreni me mend sesa nga këta ka më poshtë, deri aty ku këta njerëz të cilëve po u drejtohem duhet të nisin rrugëve.

Por ama, siç ju them këto ashtu siç janë, unë jam po ai që them “Besojeni, besojeni. Partia Socialiste është e vetmja rrugë për ju”. Partia Socialiste është e vetmja rrugë për çdo të ri e të re, qoftë 20, qoftë 30, qoftë 60 si puna ime, nëse ka vërtetë dëshirë të merret me politikë nuk ka asnjë rrugë tjetër për tu dalluar nga ata që i kanë mësuar përmendësh fjalët për Shqipërinë, integrimin, progresin, zhvillimin, solidaritetin, njerëzimin por merren vetëm me llafe ndërkohë që për të bërë betejë bashkë me ne e për t’i ngjitur më tutje majat e reja dhe përtej asaj të 2030 që jeta jote të marrë një kuptim të mirë duke bërë punë të mira dhe për të tjerët dhe që vendi ynë, Shqipëria të bëhet më në fund si e gjithë Europa dhe të bëjë krenarë këdo për veten e tij si anëtar i një partie, është vetëm dhe vetëm kjo familje e madhe shqiptarësh që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë.

Parti që thonë fjalë tërheqëse për si duhet të jetë Shqipëria dhe që nëpërmjet lloj-lloj firaunësh derdhin lotë krokodili ditë-natë për shqiptarët duke premtuar që tua bëjnë detin kos, gjejnë kollaj por parti që bën punë të mira dhe derdh përditë energji ndërtimtare për Shqipëri ka vetëm një, Partia Socialiste e Shqipërisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB